Në kuadër të nismës së Bashkisë Durrës, për realizimin e Dëgjesave Publike për PBA 2019-2021, në Njësinë Administrative Rrashbull, u organizuan katër Dëgjesa Publike për njësitë Rrashbull dhe Katund i Ri. Një nga Dëgjesat Publike ishte për Paketën Fiskale që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2019-2021. Ndërsa, tre Dëgjesat e tjera kishin si qëllim prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2019-2021 për Programin “Infrastruktura rrugore”, për Programin “Investimet në Arsim për sistemin parashkollor, Arsimin 9-vjecar dhe atë të Mesëm” si dhe “Projektet për Shërbimet Sociale” për komunitetin e Njësive Administrative Rrashbull dhe Katundi i Ri, duke mirëpritur çdo propozim, sugjerim apo rekomandimin nga ana e tyre.

Dëgjesat Publike u organizuan nga Drejtoria e Politikave të Zhvillimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve dhe Punëve Publike, Drejtorinë e Shërbimeve Sociale, Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore si dhe me Drejtorinë e Arsim-Kulturë, Rini, Sporte dhe Komunitete Fetare. Në këto takime kishte një pjesëmarrje të gjërë, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga të gjitha fshatrat e Njësive Administrative Rrashbull dhe Katundi i Ri, përfaqësues të grupeve të interesit, Institucioneve Arsimore, Shëndetsore etj. OJF që operojnë në këto Njësi Administrative, grupet këshillimore dhe Komisionet e Këshillit Bashkiak.

Gjatë Dëgjesës Publike, në pjesën e parë, pjesëmarrësit janë informuar nga z. Luan Dajko, Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore, mbi strukturën e Paketës Fiskale për periudhën 2019 – 2021 dhe rëndësinë e pagesës së taksave dhe tarifave vendore në funksion të ofrimit të shërbimeve më të mira në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës.

Në Dëgjesën e dytë, pjesëmarrësit janë njohur nga z. Adnand Tocila, Përgjegjës në zyrën e Projektimit në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, lidhur me projektet dhe investimet kryesore në infrastrukturën rrugore për vitet 2019-2021 në përputhje me Programin “Infrastruktura rrugore”në Njësitë Administrative Rrashbull dhe Katundi i Ri.  Ndërsa, në Dëgjesën e tretë, znj. Meme Xhaferraj, Drejtore e  Shërbimeve Sociale, bëri prezantimin mbi projektet e Shërbimeve Sociale për vitet 2019-2021. Së fundmi, znj. Nikoleta Rusha, Përgjegjëse e Sektorit të Arsimit në Drejtorinë e Arsim-Kulturë-Rini-Sporte dhe Komunitete Fetare, bëri prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për Programin “Arsimi parashkollor dhe parauniversitar”, për periudhën 2019-2021, pikërisht në keto dy Njesi Administrative.