Stampa

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar ambientet e reja të shkollës për fëmijët me aftësi të kufizuar e cila është rikonstruktuar totalisht me fondet e Bashkisë së Durrësit si dhe është pajisur me mjete didaktike dhe orendi e pajisje të reja, është vendosur një ashensor, dhe pajisur me një mjet të ri transporti special për këtë kategori fëmijësh. Kryebashkiaku Dako deklaroi se  Bashkia e Durrësit i ka në përparësi të gjithë shtresat në nevojë dhe mbështetja për këtë shkollë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë maksimale: “Bashkia e Durrësit i ka në përparësi të gjithë shtresat në nevojë dhe jemi këtu në këtë shkollë për të inaguruar punimet që janë kryer, të cilat janë punime totalisht të realizuara me financimet e bashkisë së Durrësit, duke filluar që nga rikonstruksioni total i godinës deri te paisjet e kuzhinës, ambienteve të shkollës, furgonit për të transportuar fëmijët dhe gjithcka tjetër që i duhet kësaj shkolle për të funksionuar në mënyrë normale. Drejtoresha e shkollës ka gjetur mbështetjen e plotë të bashkisë për të gjithë kërkesat që kanë patur  fëmijët. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë shkollë sepse kemi shumë vitë që e bëjmë. Mbështetja jonë nuk konsiston vetëm në infrastrukturë, si dhe duke qenë prezent gjithmonë kur fëmijët kanë nevojë. Stafi jonë po punon edhe nga ana sociale për t’i ndihmuar këta fëmijë, të cilët kanë më shumë nevojë se sa fëmijët e tjerë të qytetit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha institucionet të cilët i shërbejnë të gjithë njerëzve në nevojë.” Drejtoresha e kësaj shkolle Arta Çerçizi u shpreh se në sajë të këtij investimi kushtet në këtë shkollë janë tashmë optimale: “Të gjithë ne kemi dëshirë të jemi në ambiente sa më komode dhe më të dashura për fëmijët. Kjo ka ndodhur tek ne, që gjatë gjithë këtyre viteve që unë jam në këtë pozicion, të gjitha kërkesat që unë kam bërë, kanë gjetur zgjidhje nga bashkia. Kushtet e shkollës këte vit janë optimale, duke filluar që nga kuzhina, menza, ambientet e klasave, palestra, oborri i shkollës, si dhe makina e re e transportit. Falenderoj bashkinë që çdo kërkesë e imja dhe e fëmijëve është bërë realitet.” Rikonstruksioni i kësaj shkollë është kryer nga fondet e Bashkisë së Durrësit me vlerë 12.538.914 lekë ndërkohë që është blerë edhe një mjet i ri transporti për fëmijët në vlerën e  2.640.000 lekë. Bashkia e Durrësit e ka pajisur shkollën edhe me orendi e pajisje të reja në vlerën e 11 milion lekëve. Po kështu bashkia e Durrësit është e angazhuar në plotësimin e kërkesave gjatë gjithë vitit për këta fëmijë duke financuar në mjete didaktike me vlerë 120 mijë lekë në vit, lojëra për fëmijë në vlerën e 120 mijë lekë në vit dhe kostume sportive, atlete e veshmbathje në vlerën e 780 mijë lekë në vit. Kjo shkollë ka 102 nxënës dhe 22 mësues si dhe 5 persona që janë personel shërbimi. Çdo fëmijë dhe mësues i kësaj shkolle trajtohet me  kuotë ushqimore që financohet nga Bashkia e Durrësit në vlerën e 3 milion lekëve në vit. Në fund të ceremonisë nxënësit e kësaj shkolle kishin përgatitur edhe një festë të veçantë me rastin e festave të fundvitit ku kryebashkiaku Dako u ka shpërndarë fëmijëve dhuratat me lojëra të ndryshme.