U prezantua në bashkinë e Durrësit draft-Plani Vendor i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2026-2031, i hartuar në bashkëpunim me Institutin e Kërkimeve Urbane me mbështetjen financiare të programit Italo-Shqiptar të Konvertimit të Borxhit, IADSA II. Në këtë takim ishin të pranishëm nënkryetari i bashkisë Durrës, Gentian Kallmi, përfaqësues të kësaj bashkie, përfaqësues të Këshillit të Qarkut Durrës, Prefekturës së Qarkut Durrës, Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, kompanive private të riciklimit, studentë të Univesitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës etj.
Në këtë draft-Plan janë parashikuar masat konkrete për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve në territorin e bashkisë gjatë periudhës 2026–2031. Gjithashtu, ky Plan paraqet dhe një përmbledhje të analizës të situatës aktuale të mbetjeve në Bashkinë Durrës si edhe objektivat strategjike për të ardhmen, përfshirë edhe ndërtimin e stacionit të transferimit.
Draft-Plani bazohet në parimet e reduktimit të mbetjeve, rikuperimit të burimeve, mbrojtjes së mjedisit dhe përfshirjes aktive të komunitetit, duke kontribuar drejt një modeli të orientuar drejt ekonomisë qarkulluese. Draft-Plani është në linjë me Dokumentin e Politikave Strategjike të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2022-2035, Planin Sektorial Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta dhe politikat kombëtare për mjedisin.