Bashkia Durrës dhe Këshilli Bashkiak zhvilluan dëgjesën publike me banorët dhe grupet e interesit të Njësisë Administrative nr. 5. Takimi u zhvillua në kuadër të hartimit të buxhetit vjetor dhe Paketës Fiskale 2027, si dhe të Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2027–2029.
Takimin e hapi nënkryetari i Bashkisë Durrës, z. Elio Jani, i cili falënderoi banorët për pjesëmarrjen dhe theksoi se dëgjesat publike janë një mundësi e drejtpërdrejtë për të evidentuar nevojat konkrete të komunitetit dhe për t’i përfshirë ato në planifikimin buxhetor. Duke iu referuar veçorive të zonës së Plazhit dhe Shkozetit, ai paraqiti investimet kryesore të realizuara dhe ato në proces, si dhe ftoi qytetarët të shprehin shqetësimet dhe propozimet e tyre për ndërhyrjet që duhet të marrin përparësi gjatë periudhës 2027–2029.
Pas fjalës hyrëse, përfaqësuesit e programeve përkatëse prezantuan punën e realizuar, projektet në proces dhe prioritetet e planifikuara për periudhën 2027–2029.
Në fushën e infrastrukturës, u evidentuan:
• Rikonstruksioni i përfunduar i godinës së banimit “Viko”,
• Zbatimi i projektit për rikonstruksionin e rrugës “Adria”,
• Rikonstruksioni në proces i shkollës “Bajram Curri”
• Rindërtimi i banesave individuale në rrugën “Dalip Peza”.
• Rikonstruksionin e Qendrës Ditore të të Moshuarve,
• Ndërtimin e godinës së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi,
• Rikonstruksionin e çerdhes nr. 4,
• Rehabilitimin e zonës “Lura Daklit” dhe të rrugës pranë shkollës “Beqir Çela”
• Studim-hartimi i projektit për zonën “Sirius”, ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe sistemimi i tij në rrugën “Jahja Ballhysa”.
Për arsimin, u paraqit rrjeti i institucioneve të njësisë, i cili përfshin Çerdhen nr. 4 në Shkozet me 123 fëmijë, pesë kopshte me 490 fëmijë, katër shkolla 9-vjeçare me 2 263 nxënës, shkollën e mesme “Olsi Lasko” me 332 nxënës dhe konviktin e shkollës së mesme profesionale “Beqir Çela” me 55 nxënës. U evidentuan investimet e realizuara në shkollat dhe kopshtet e zonës, ndërsa prioritetet për PBA-në 2027–2029 përfshijnë rikonstruksionin e plotë të Çerdhes nr. 4, ndërtimin e një shkolle të mesme dhe të një kopshti me ushqim në zonën e Plazhit, mirëmbajtjen e institucioneve arsimore, sigurinë, kushtet higjieno-sanitare dhe përmirësimin e mjeteve didaktike.
Në fushën sociale, u trajtuan shërbimet për individët dhe familjet në nevojë, strehimi social dhe puna e Qendrës Komunitare Multifunksionale Nishtulla, e cila ofron këshillim, mbështetje psikosociale, menaxhim të rasteve, shërbime për fëmijët parashkollorë, mbështetje për punësim dhe veprimtari komunitare. Për vitin 2026, nga shërbimet e saj përfitojnë rreth 400 persona.
Programi për zhvillimin rural, bujqësinë dhe mbrojtjen civile u trajtuan masat për parandalimin dhe menaxhimin e emergjencave civile, reduktimin e rrezikut nga përmbytjet dhe mbështetjen e familjeve të prekura.
Në dëgjesë morën pjesë banorë të Njësisë Administrative nr. 5, drejtues dhe përfaqësues të strukturave të Bashkisë Durrës, përfaqësues të institucioneve arsimore, grupeve të interesit dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak. Diskutimi vijoi me shqetësimet dhe propozimet e qytetarëve, të cilat do të dokumentohen dhe shqyrtohen gjatë hartimit të buxhetit 2027 dhe PBA-së 2027–2029.