Bashkia e Durrësit zhvillon ceremoninë solemne me rastin e 82 vjetorit të çlirimit të Durrësit

Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944. Në këtë ceremoni merrnin pjesë nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Gentian Kallmi, kryetarja e këshillit bashkiak, Denisa Luarasi, përfaqësues të organizatës së veteranëve të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri.

Në këtë ceremoni të pranishmit shprehën nderimin dhe mirënjohjen më të thellë të qytetarëve të Durrësit për kontributin dhe heroizmin e atyre që, në emër të lirisë, nuk kursyen as jetën për të arritur ditën e lavdishme të 14 nëntorit 1944, ditën kur Durrësi u çlirua nga pushtuesit nazifashistë.

Në emër të Bashkisë së Durrësit fjalën e rastit e mbajti drejtoresha e arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare, Migena Muhaj e cila deklaroi se jemi krenarë të përkujtojmë këtë ditë historike dhe të shprehim respektin e thellë për qytetarët e Durrësit që u përfshinë në një luftë të drejtë, duke sakrifikuar gjithçka për lirinë dhe dinjitetin kombëtar:

“Është një ditë e veçantë për Durrësin dhe për gjithë Shqipërinë, një ditë që na kujton sakrificën dhe guximin e dhjetëra patriotëve e luftëtarëve, të rinj e të reja, që dhanë gjithçka, edhe jetën e tyre për lirinë. Që prej 7 prillit 1939, Durrësi u bë simbol i qëndresës dhe një ndër qendrat kryesore të lëvizjes çlirimtare.

Sot, ne u kushtojmë nderimin më të madh atyre që luftuan dhe fituan për të ardhmen e vendit. Nderojmë gjithashtu familjet e dëshmorëve, që mbartën dhimbjen por edhe krenarinë e një sakrifice sublime për atdheun, të familjarëve të tyre.

Kjo ditë nuk është vetëm një kujtesë historike, por edhe një thirrje morale për ne si brez: të ruajmë, të çojmë përpara dhe t’ua përcjellim brezave të rinj vlerat e patriotizmit, të solidaritetit dhe të bashkimit. Njëkohësisht, ne të gjithëve na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesorja ajo që ka të bëjë me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; një Shqipëri evropiane.”

Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe përfaqësues të organizatës kombëtare të veteranëve të LANÇ, të cilët theksuan rëndësinë e jashtëzakonshme të luftës antifashiste nacionalçlirimtare si dhe vunë në dukje fakte historike nga kjo luftë dhe nga dita e çlirimit të Durrësit.