Njoftim për parkimin me pagesë në Durrës

NJOFTIM PËR QYTETARËT – PARKIMI ME PAGESË NË DURRËS

Bashkia Durrës njofton qytetarët se, duke filluar nga data 5 tetor 2026, nis zbatimi i sistemit të parkimit me pagesë në rrugët dhe sheshet publike të përcaktuara.

Ky sistem synon një organizim më të mirë të parkimit, reduktimin e parkimeve të parregullta dhe administrimin më efikas të hapësirave publike.

🚗 RRUGËT ME PAGESË – ZONA A DHE ZONA B

Rrugët me pagesë ndahen në dy zona:
Zona A – 100 lekë/orë
Zona B – 40 lekë/orë

⏰ Orari i parkimit me pagesë:
1 Qershor – 30 Shtator: 08:00–20:00, nga e Hëna deri të Dielën.
1 Tetor – 31 Maj: 08:00–16:00, nga e Hëna deri të Premten.

Pra, gjatë periudhës 1 Tetor–31 Maj, pas orës 16:00, parkimi është pa pagesë dhe gjatë periudhës 1 Qershor – 30 Shtator, pas orës 20.00 parkimi është pa pagesë.

🅿️ PARKIMI NË 3 SHESHET PUBLIKE

Sistemi zbatohet edhe në:
Sheshin “Jorgji Ziu”, sheshin “Vollga” dhe parkimin pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.

Tarifat variojnë nga 100 lekë për qëndrimin deri në 2 orë, deri në 500 lekë për 12–24 orë. Në këto sheshe pagesa kryhet vetëm me kartë bankare në POS.

🏠 LEHTËSI PËR REZIDENTËT

Qytetarët që banojnë në zonat ku ndodhen rrugët me pagesë mund të aplikojnë për abonimin vjetor të rezidentit, me tarifë 10,000 lekë/vit, për 1 automjet për familje, sipas zonës së banimit.

Gjithashtu, për hapësirat publike të miratuara midis pallateve, rezidentët mund të pajisen me vërtetim rezidenti pa pagesë, i cili u mundëson parkimin në hapësirën përkatëse të banimit.

Një rezident mund të pajiset, sipas rastit, njëkohësisht me abonimin vjetor për rrugët me pagesë dhe me vërtetimin pa pagesë për hapësirën publike të miratuar midis pallateve. Dokumentet përkatëse duhet të vendosen në një vend të dukshëm në xhamin e automjetit.

📄 SI APLIKOHET?

Aplikimi dhe verifikimi i adresës së banimit kryhen pranë Njësisë Administrative përkatëse. Dokumentacioni përfshin dokumentin e identifikimit, dokumentin e pronësisë së automjetit, dokumentin që vërteton pronësinë/përdorimin e banesës dhe vërtetimin e banimit.

ℹ️ Në posterat informues më poshtë qytetarët mund të njihen në mënyrë të detajuar me:

  • rrugët dhe zonat ku zbatohet parkimi me pagesë;
  • tarifat dhe oraret;
  • sheshet publike me pagesë;
  • procedurën e abonimit për rezidentët;
  • procedurën për parkimin në hapësirat midis pallateve;
  • shembuj praktikë për rezidentët e zonës A dhe zonës B.

Zbatimi i sistemit fillon më 5 tetor 2026.

Bashkia Durrës fton qytetarët të njihen me informacionin e plotë në posterat bashkëlidhur dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur në çdo zonë.