Printo

Qyteti i Durrësit, ditët e sotme shtrihet pikërisht mbi rrënojat antike të Epidamnit. Durrësi, i cili është themeluar rreth vitit 627 para e.r., është një nga qytetet më të rëndësishme në Shqipëri dhe në zonën e Adriatikut, i pasur me histori, arkitekturë dhe site arkeologjike si: Amfiteatri, Murret Rrethuese të qytetit, Forumi Bizantin, Kulla Veneciane, Termet antike Romake, Bazilika e Shën Mëhillit” Arapaj, Fortifikimi i Skëndërbeut në Kepin e Rodonit etj. Gjithashtu, Durrësi ka edhe një pasuri nënujore, e cila përbën një vlerë të shtuar për qytetin tonë, vlera të cilat mund të inkurajojnë akoma më shumë zhvillimin e turizmit arkeologjik.

Mbas reformes së re administrativo-territoriale, qyteti i Durrësit ka një sipërfaqe prej 341.9 km2 dhe një vijë bregdetare prej 64 km.

Durrësi numëron rreth 20 munumente të trashëgimisë kulturore dhe 12 objekte të rëndësisë së veçantë, të cilat janë të vizitueshme përgjatë gjithë vitit si nga vizitorët/turistët vendas ashtu edhe ata të huaj.

Por çfarë mund të vizitojmë në Durrës?

Na ndiqni:

 

AMFITEATRI I DURRËSIT       

Amfiteatri i Durrësit është një monument publik unikal në vendin tonë. Ka qenë ndërtuar pranë qendrës tradicionale të qytetit, në terren fushor dhe pjesërisht në kodër. Vlerësohet si kolos inxhinierik e arkitektonik i kohës antike dhe vepër e mjeshtrave vendas. Ka trajtë elipsi me diametër 136m dhe lartësi rreth 20m. Është ndërtuar në fillim të shek. II të e.r., në kohën e perandorit romak Trajan (98-117). Në të uleshin rreth 15-20 mijë shikues që ndiqnin ndeshjet midis gladiatorëve. Amfiteatri ka pasur hyrjen kryesore nga veriu dhe një dalje në jug në të njejtin aks. Fasada lindore nga qendra e qytetit ka qenë dykatëshe me harqe e kolona dhe mbi to një strukturë dekorative me dritare. Zbulimi i arenës do të qartësonte edhe funksionin e amfiteatrit. Lojrat në amfiteatrot antik u ndaluan nga perandori romak Honor në vitin 404 të e.r. Zbulimi i amfiteatrit filloi në vtitin 1966 deri në vitin 1970. Paralel me monumentin u zbuluan varret mesjetare në zonën e arenës. Në vitet në vazhdim janë kryer disa ekspedita, të cilat i kanë plotësuar të dhënat dokumentare dhe arkitektonike mbi këtë monument.

 

KISHËZA E AMFITEATRIT

Pas ndërprerjeve të lojrave në amfiteatër, rreth shek. V-VI e.r., u ndërtua një kishë e vogël (kapelë), ku zhvilloheshin ceremonitë fetare dhe funerale të grupimeve të krishtera të Durrësit. Fillimisht kisha ishte zbukuruar me afreske. Jetëgjatësia e saj dëshmon për ndërhyrje të mëvonshme (shek. VI-VII-të), duke i zbukuruar të dy faqet, jugore e perëndimore, me panela mozaikësh mural, unikal. Ky mozaik i është kushtuar Shën Stefanit, martir i qytetit të Durrësit. Në vazhdim paraqitet Shën Maria si perandoreshë bizantine rrethuar me dy engjëj, i pari me mbishkrimin në krye dhe në këmbët e figurave dy shoqërues në miniaturë. Faqja perëndimore ruan fragmente të dy shenjtoreve, Shën Irini dhe Shën Sofia me emrat përkatës. Si vend strehimi i bashkësive të krishtera, ka shërbyer edhe galeria lindore, e cila është e zbukuruar me afresk me figurën e Shën Gabrielit.

 

KALAJA E DURRËSIT - MURET RRETHUESE TË QYTETIT

Qyteti i Durrësit që në themelimin e tij u mbrojt me mure rrethuese të ndërtuara me blloqe cikllopik. Mbi këtë bazë, në shekujt në vazhdim deri në periudhën qytetar ilire dhe romake, muret e qytetit u zgjeruan bashkë me zhvillimin topografik të tij. Muret rrethuese që shihen sot, janë ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi I (491-518) me origjinë nga Durrësi, pas dëmtimit që shkaktoi tërmeti katastrofik i vitit 345. Ai e mbrojti qytetin me tre radhë muresh prej tulle, nga të cilat ruhen 500m gjatësi në anën Jug-Perëndimore. Perimetri i rrethojes arrinte 3.5km, lartësi 18m dhe gjërësi 3.50m. Ky sistem mbrojtës përforcohej me kulla pesëkëndëshe, me largësi 60-65m nga njëra-tjetra. Ndërhyrjet më të vona janë ato të perandorit Justinian (527-565). Gjithashtu, më vonë, në shek. XIII-të (1272) Karli Anzhu dhe në shek. XIV-të (1350) Karl Topia, kryen gjithashtu përforcime mbrojtëse. Kalimi i Durrësit nën pushtimin venecian (1392-1501) për 109 vjet u shoqërua me ndërhyrje në sistemin mbrojtës, me kulla rrethore. Ndërsa, pushtimi osman më 13 gusht 1501 e zvogloi qytetin në skajin Jug-Lindor (Lagjia Kala) duke e rrethuar atë me një mur 800m, 6 herë më të vogël se rrethoja bizantine. Muri turk zbret nga kuota 59m, dhe në gjatësinë e tij u ndërtua Kulla me sahat e qytetit. Muret turke u përforcuan me kulla e bedena si dhe me dy porta kryesore të vendosura në një aks: “Porta e Madhe” dhe “Porta e Detit”.

 

TORRA VENECIANE        

Kulla rrethore (Torra), u ndërtua në shek. XV-të mbi kullën bizantine. Kjo dëshmohet nga prania e blloqeve nga rrethoja e mëparshme, e fragmenteve arkitektonike dhe e relieveve antike. Kulla ka diametrin 16m dhe lartësinë 9m. Në kullë hyet nëpërmjet një porte në formë harku me tulla. Kulla është e pajisur me 5 frëngji dhe 3 ndarje (kthina).  Perimetri sipër mbyllet me bedena. Ambienti i brendshëm është ndërtuar me tulla në formë kupole. Ngjitja në lartësi bëhet nga brenda, me shkallë të ngushta e të pjerrta.

 

ROTONDA, FORUMI BIZANTIN        

Shesh-tregu i periudhës bizantine është ndërtuar në qendrën tradicionale të Dyrrahut antik. Ai kishte një pozicion qendror në raport me ndërtimet e mëdha publike dhe fetare të periudhës bizantine. Paraqitja arkitekturore e tij dëshmon funksionin e një shesh-tregu të hapur, rrethor me portik. Në qendër të shesh-tregut ka një podium dhe një pus, mbi një shtroje pllakash mermeri që mbulojnë dyshemenë deri pranë kolonadës me një perimetër 40m. Përreth këtij portiku në formë rrezore ngriheshin ambiente shërbimi. Teknika e ndërtimit, materiali i përdorur dhe shtresa kulturore e datojnë këtë monument si bashkëkohës të ndërtimeve publike të perandorëve Anastas e Justinian në fillim të shek. VI e.r.

 

TERMET ANTIKE  

Termet publike (poshtë Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Durrës) u zbuluan pothuajse plotësisht në vitin 1960. Për nga madhësia dhe ambientet e brendshme, këto terme kanë qenë pjesë e gjimnazit të qytetit. Në to ruhen harqet e furrës, muret si edhe dyshemeja e ambienteve. Në fillim është dhoma e apodyteriumit (dhoma e zhveshjes) që pasohet nga tepidariumi (dhoma e djersitjes) e cila ka nën dysheme tulla hipokauste për kalimin e avullit të nxehtë.  Në vazhdim, në drejtimin jugor, është frigidariumi (dhoma me ujë të ftohtë) dhe në fund pishina. Shtrimi i dyshemes është me pllaka mermeri, bardh e zi, në formë fushe shahu. Në jugperëndim të Termeve, ndodhet kompleksi i kanaleve shkarkuese dhe mbi te shtrihet rruga kryesore e periudhës romake me drejtim verior (Rruga “Aleksandër Goga”) .

 

HAMAMI MESJETAR

Hamami (banjo) është godinë publike me arkitekturë tipike e periudhës turke. Ajo është ndërtuar në shek. XVIII-të në këndin juglindor të qytetit mesjetar. Në qendër ka pasur një kupolë sferike me lartësi 5.8 m, pajisur me 12 dritare të vogla për ajrosje. Ambientet ngroheshin me avull nëpërmjet tubacioneve prej qeramike. Furra gjendet në pjesën e prapme të hamamit. Ka qenë shumë e dëmtuar ndaj u rikonstruktua në vitin 1980.

 

MUZEU ARKEOLOGJIK 

Muzeu Arkeologjik është përuruar më 13 prill 2002 mbi bazën e materialeve të Muzeut të parë arkeologjik, i hapur më 13 mars 1951. Ekspozita është organizuar në tre pavione sipas periudhave historike. Salla e parë fillon me vitrinën e gjetjeve prehistorike në qytet dhe në zonat përreth. Në rend kronologjik ndiqet pandërprerje historia e qytetit në periudhën arkaike, klasike dhe qytetare ilire deri në shek.I p.e.re. Në vazhdim shpaloset zhvillimi topografik, ekonomik, politik e  kulturor i Dyrrachiumit romak. Në aspektin tematik ky qytet dëshmon praninë e një popullsie autoktone ilire me botë të pasur shpirtërore. Durrësi paraqitet qendër me ekonomi shumëdegëshe dhe që tregtonte me shumë qendra mesdhetare. Periudha mesjetare përshin 15 shekuj, nga shek. V-XV dhe mbyllet me periudhën turke.

 

PUSI I TOP-HANËS

Emërtimi Top-Hane tregon funksionin fillestar si punishte për prodhimin e barutit. Prania e burimit të ujit në lagjen Varosh (jashtë kalasë), krijoi mundësinë e ndërtimit të një pusi në shërbim të banorëve të saj, rreth shek. XVI-të. Pusi u ndërtua mbi një bazament  katërkëndësh me gurë, rrethuar me katër kolona graniti të periudhës bizantine të cilat ishin tcilat ishin të ripërdorura.

 

SHTËPIA MUZE “ALEKSANDËR MOISIU”

Shtëpi me çardak e ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX-të. Në vitet ’30 të shek. XX-të ka qenë edhe seli e konsullatës angleze. Kjo ndërtesë për vlerat e saj arkitekturore është shpallur “Monument Kulture”. Pas restaurimit të saj në vitin 1983, u vendos “Ekspozita e Kulturës Popullore”. Në tre dhoma ekspozite, shpalosen vlerat artizanale të trevës së qytetit tonë dhe të rrethinave të tij. Dy dhoma të tjera i janë kushtuar figurës së aktorit me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu, emërtuar  “Dhoma Muze Aleksandër Moisiu”. Moisiu kreu shkollën fillore në Durrës, dhe për këtë arsye në vitin 1928 shkroi kujtimet e tij në formë skice me titull “Ëndërr fëmijërie”.

 

XHAMIA “FATIH”

Xhamia “Fatih”, i përket kohës së sulltan Mehmetit të II-të Pushtuesit (Fatihut). Është ndërtesa më e vjetër e kultit islam në vendin tonë. Ajo është ngritur rreth viteve 1502-1503, përshtatur mbi rrënojat e një ndërtesë kulti të krishterë (bazilikë e shek. XI-të).

            

BANKA E SHTETIT SHQIPTAR, Durrës

Banka e Shqipërisë “BKT” u ndërtua në vitin 1928. Themelet e saj janë mbi kullën juglindore të rrethojes bizantine, e quajtur “Bastioni i madh”. Ndërtesa është projektuar nga arkitektë italianë dhe realizuar nga mjeshtrat durrsakë. Nga ana kompozicionale kjo ndërtesë hyn në veprat e stilit barok, që përdorët për herë të parë në vendin tonë. Mbi Bankë është vendosur një skulpturë njerëzore (grua) e cila paraqet në mënyrë simbolike luftën, rezistencën dhe fitoren ndër shekuj dhe begatinë e vendit.

  

PALLATI I MBRETIT “ ZOG I ”        

Pallati mbretëror u ndërtua në vitin 1937. Ai u projektua në kuotën më të lartë të kodrave (98 m) dhe ka një pozicion mbizotërues në raport me qytetetin dhe detin. Nga ana arkitekturore përfaqëson stilin e ndërtimit (neo-klasik) i përdorur në fillim të shek. XX-të. Në fasadën ballore të Vilës bie në sy figura e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeu, i vendosur në profil djathtas, mbi kalë dhe me shpatë në dorë.

 

MAUZOLEU I DESHMORËVE

Është objekt përkujtimor i të rënëve të Luftës së Dytë Botërore dhe të kampeve naziste. Mauzoleu u projektua nga arkitekt Kristo Sotiri (1870-1953). Punimet filluan në vitin 1947. Është i pari dhe i vetmi i këtij lloi, si mauzole në vendin tonë. Kompleksi i “Mauzoleut të Dëshmorëve” ka planimetri në formë harku. Përbëhet nga tri pjesë kryesore: godina e Mauzoleut, shkallarja dhe lulishtja. Eshtrat e dëshmorëve janë futur në nishe (kamera) të veçanta. Kurse për të rënët në kampet naziste janë përdorur varre përkujtimore (varre pa eshtra). Në dy pllaka mermeri janë shkruar me germa bronzi emrat e të internuarve në kampet naziste.

 

MEMORIALI I “MUJO ULQINAKUT”

Memoriali i kushtohet Mujo Ulqinakut (1896-1939), “Hero i Popullit”, një ndër luftëtarët e parë të qëndresës së armatosur kundër pushtimit fashist italian  më 7 prill 1939. Memoriali u realizua nga “Skulptori i Popullit” Kristaq Rama. Mujo Ulqinaku lindi në qytetin e  Ulqinit në familjen e një detari. Kishte gradën nënoficer në repartin e marinës në Durrës. Ai u pozicionua në vijën e parë të luftimit që në orët e para të pushtimit fashist italian. Mujo Ulqinaku dhe bashkëluftëtarët e tij, me qëndresën dhe patriotizmin e tyre treguan  trimëri të pashoq.

 

BASHKIA E QYTETIT

Bashkia e qytetit të Durrësit u ndërtua në vitin 1929, në sheshin tradicional të qytetit. Bashkia është projektuar me tre kate dhe bodrume. Kati i parë, në hyrje të fasadës, është trajtuar me tre harqe, ndërsa kati i dytë mbi të është me ballkon të brendshëm me kolona. Ndërtesa kulmon me një pirg katror, në të majtë, ku është vendosur edhe Sahati i qytetit. Fasada është zbukuruar në të dy anët me dekore në reliev në formë medalionesh, që kanë simbolet e anijes me vela si edhe tufë me kallëza gruri.

 

RRUGA TREGTARE

“Rruga Tregtare”, sot “Bulevardi Epidamn”, u ndërtua pas dëmtimeve që shkaktoi tërmeti i vitit 1926. Me hapjen e kësaj rruge fillonte dhe zbatimi i një plani rregullues modern i qytetit të Durrësit sipas treguesve urbanistikë të zhvillimit të qyteteve evropiane. Në të dy anët e kësaj rruge u ngritën ndërtesa dy e tre katëshe (vila), të stilit të arkitekturës bashkëkohore, me dekor të larmishëm. Katet e sipërme shërbenin për banim ndërsa katet e para ishin për tregtim, prejt të cilave mori edhe emrin “Rruga tregtare”. Ato ruhen ende sot si përfaqësuese të ndërtimeve arkitekturore të viteve ’30-40 të shek. XX-të

 

KONTKATEDRALJA “SHËN LUÇIA”   

Kisha katolike “Shën Luçia” me kambanore, është ndërtim i vitit 1909. Kisha paraqet një ndërtim kulti me ambientet përkatëse funksionale të tij. Ajo njihet njëkohësisht edhe si qendër e rëndësishme ku meshonte kleriku patriot Dom Nikoll Kaçorri (1862-1917). Ky personalitet me një reputacion mbarë qytetar ishte edhe nismëtar e mbështetës i ideve të lëvizjes patriotike për mësimin e gjuhës shqipe dhe për mëvehtësinë e Shqipërisë. Në qelën e kësaj kishe mblidheshin patriotët durrsakë, nga ku janë marrë vendime të rëndësishme që ndikuan në ngjarjet historike të qytetit, siç qe edhe ngritja e flamurit kombëtar në Durrës më 26 nëntor 1912.

 

ÇISTERNA MESJETARE

Çisterna apo Depo e ujit, është ndërtim i periudhës së Mesjetës së vonë dhe ndodhet prapa Mauzoleut të Dëshmorëve. Uji mblidhej nga burimet natyrore të zonës kodrinore. Paraqet një ndërtim me çati të harkuar mbuluar me tjegulla i cili rrethohej me kontraforte. Ka pesë shkallë hyrëse dhe një derë me qemer mbi të cilën ndodhet një dritare rrethore për ajrosje.

 

BANESA 115 e familjes Manushi dhe Pali

Banesa është ndërtuar në vitin 1884, datë e cila shkruhej me germa hekuri në gjysmëharkun e portës së madhe bashkë me inicialet Z.M. emri i pronarit Zis Margariti. Kjo banesë ka shërbyer si rezidencë e konsullatës (legata) Austro-Hungareze në vitin 1914.

 

KISHA “E APOSTULL PAVLIT DHE SHËN ASTIT”  

Kisha e Apostull Pavlit dhe Shën Astit u ndërtua gjatë viteve 1994-2002, dhe u përurua më 3 Maj 2009. Apostull Pavli njihet si predikuesi i parë i fesë së krishterë në Iliri. Në kujtim të tij ka qenë ndërtuar një kishë në skajin verior, në ”Kepin e Palit”  sot  ”Kepi i Pallës”. Shën Asti është martiri i parë, i cili u martirizua në vitin 100 të e.re. në Durrës, në periudhën e perandorit romak Trajan (98-117).

 

XHAMIA E MADHE

Xhamia e Madhe u ndërtua në vitin 1938. Pozicioni i zgjedhur topografik me fasadë nga Lindja plotëson ansamblin e ndërtimeve publike në sheshin qendror të qytetit. “Lëvizja kundër fesë, paragjykimeve fetare dhe zakoneve prapanike” e 6 shkurtit 1967, prishi kupolën dhe minaren e saj, dhe e transformoi në institucion kulturor, emërtuar  “Pallati Rinia”.

Pas viteve ’90 Xhamia e Madhe u rikthye në funksionin e saj si ndërtesë kulti dhe e ruajti arkitekturën fillestare. Ndërtimet u kryen në dy faza: gjatë viteve 1992-1994 dhe më vonë gjatë viteve 2004-2006.

 

BAZILIKA E “SHËN MËHILLIT” ARAPAJ

Bazilika e ‘Shën Mëhillit’, është ndërtim kulti i fillimit të shek. VI-të, i kohës së perandorit bizantin Justinian (527-565). Ndodhet 6 km larg Durrësit në faqen perëndimore të kodrës “Shën Mëhill”, përballë plazhit “Iliria”. Është zbuluar plotësisht dhe ka përmasa 65x28m. Nga ana arkitektonike paraqet një bazilikë tre nefshe me tre absida përkatëse. Ka dy anekse anësore në veri e jug si dhe atriumin (oborr i brendshëm me kolonada). Ngjitur me nefin jugor ndodhet një varr monumental (martirium), mbuluar me një shtresë mozaiku trajtuar në dy emblema, me subjekt nga krishtërimi i hershëm, me sipërfaqe prej 54m². Motivet e zgjedhura, figurat, teknika e punimit, gurët shumngjyrësh e klasifikojnë këtë mozaik si vepër arti unikale e periudhës bizantine e shek. VI-të, vepër e mjeshtrave mozaiçistë të qytetit të Durrësit.

 

BAZILIKA PALEOKRISTIANE (GJURICAJ) ISHËM

Në Ishëm është ndërtuar Bazilika, e njohur sot si Bazilika në Gjuricaj. Në gjëndjen e ruajtur sot ajo ka përmasa 47 X 20 m. Kisha është e tipit bazikal, njëkonshe me tre Nefe. Në një kohë me të vonë (shek.VII-të), brenda nefit qendror është adaptuar një kapele e vogël.

Nga monumenti ruhet në një gjëndje relativisht të mirë një pjesë e mureve, dyshemetë dhe disa detaje arkitektonike prej mermeri. Sipas studiuesit Halil Myrto, objektet e zbuluara në këtë Bazilikë, datojnë në shekullin e IV – III p.e.s, si dhe në shekullin V–VI të e.s.

Kisha është e ndërtuar me muraturë guri dhe breza prej 5 rradhë tullash të lidhura me llac gëlqeror. Mbi dyshemenë e objektit janë gjetur detaje arkitektonike prej mermeri si: kolona (të fragmentuara), kapitele, imposte, pllaka ikonastasi e pllaka të tjera me dekoracion në reliev. Sipas autorit janë zbuluar dhe objekte që dallohen në periudhën helenistike, në shekujt e parë të erës sonë, si dhe në mesjetën e mesme e të vonë.

 

KALAJA E ISHMIT

Kështjella u ndërtua në vitet 1572 – 1574, nga feudali vendas, Mehmeti, me porosi të Portës së Lartë Osmane. Pas përfundimit të punimeve kështjella u pajis me topa dhe në të u vendos një garnizon ushtarësh. Kështjella me planimetri ketërkëndëshe (100 X40 m) ka dy porta, dhe 5 kulla vrojtimi.

Nga burimet historike njihet me saktësi si qëllimi dhe koha e ndërtimit të saj. Gjatë shekullit të XVI –të, Ishmi përfshihej në Sanxhakun e Ohrit që ishte një krahinë e mbushur me revolta fshatare dhe trazira për perandorinë Osmane. Për këtë arsye edhe feudali Mehmet i propozoi Portës së Lartë që të ndërtohej një kala në Ishëm, e cila do të ruante vilajetin nga kryengritësit, me kusht qe t’i jepej Sanxhaku në sipërmarrje për mbledhjen e detyrimeve fiskale të shtetit.

Kështjella është ndërtuar mbi një kodër në lindje të fshatit Ishëm. Prej saj, shikimit i hapet një horizont i gjerë. Nga veriu dhe lindja vrojtohen fusha pjellore e Ishmit dhe shikimi ndahet në vargmalin Krujë – Dajt, ndërsa nga perëndimi vrojtohet grykëderdhja e lumit, Kepi Rodonit dhe një pjesë e bregut të Detit Adriatik. Muret forcohen nga pesë kulla të cilat me përjashtim të një kulle këndi me planimetri rrethore dhe një tjetre pesëkëndëshe, kanë forma drejtëkëndëshe. Kulla e I-rë dhe kulla e II-të janë ruajtur në lartësinë e mureve, ndërsa kulla e III-të, IV-të dhe e V-të, janë të rrënuara. Prej tyre ruhen në rrafshin e tokës vetëm muret anësore, ndërsa muret ballore janë zhdukur krejtësisht.

 

KULLA E ″SULEJMAN KULLËS″

Kulla e Sulejman Kullës ndodhet në fshatin Kullas të Ishmit. Është e vetmja kullë në rrethin e Durrësit. Ajo është e shpallur Monument Kulture rreth vitit 1983. Është ndërtim tre katësh i ndërtuar me material guri. Kulla ka rreth 20 –të frengjij, të cilat shërbenin për mbrojtjen e kullës në rast sulmi. Kati i I-rë i kullës shërbente si magazinë, ndërsa katet e tjera për të banuar. Kulla ka dhe dy ballkone të cilat i shërbenin banorëve. Kulla është restauruar rreth vitit 1988. Sot është në kushte funksionale dhe e vizitueshme.

 

FORTIFIKIMI I KEPIT TË RODONIT

Ndër fortifikimet e ngritura nga Skënderbeu për të mbrojtur vendin në luftën kundër pushtimit Turk, bën pjesë dhe Kështjella në Kepin e Rodonit, e njohur me toponimin “Kështjella e Skëndërbeut”, e cila është ndërtuar rreth vitit 1460.

Kështjella kishte planimetri drejtëkëndeshe dhe ishte e pajisur me 4 kulla mbrojtese në çdo qoshe të saj. Ajo u rrënua nga Turqit në vitin 1467 dhe u rindërtua nga Venediku 33 vite më vonë. Në ditet tona ruhen kryekulla me lartësi 10 m, dhe disa mure mbrojtëse me trashësi 3.5 m.

 

KISHA E SHËN – NDOIT në Muzhlin e Skëndërbeut

Kisha e Shën – Ndoit ndodhet afër bregut të detit në veri të kalasë së Skëndërbeut në Kepin e Rodonit. Kisha i përket tipit arkitekturor romaniko – gotik dhe është ndërtuar në fund të shekullit të XIII-të.

Burimet e shkruara përmendin se në afërsi të Kepit kishte edhe tri kisha të rëndësishme: Kisha e Shën – Marisë, ajo e Shën Anastasisë dhe e Shën Kollit, ku ushtronin aktivitetin e tyre kuvendet françeskane.

Në muret veriore e jugore të Kishës kalojnë mbi pilastra harqe të verbër me profil të mprehtë. Në murin lindor ndodhet absida gjysëm rrethore, në brendësi dhe në anën e jashtme. Brenda kishës, mbi muraturë shihen dy shtresa pikture murale. Sipas historisë thuhet se Skëndërbeu ka kaluar pushime për rastin e martesës së tij. Kisha është restauruar në vitin 2003.

 

MURI PORTO-ROMANE

Nga Muri i Porto Romanes, rreth 7 km në veri të qytetit të Durrësit, ruhen ende dhe sot mbetjet e një muri që mbyllte dikur rripin e ngushtë të tokës, nëpërmjet detit dhe kënetës. Hezei i përmend shkurt këto ndërtime, duke vënë në dukje se muret mbyllin sistemin që kishte një gjatësi jo më tepër se 200 m, dhe sistemi i tyre me breza tullash paraqiste një ngjashmëri të madhe me pjesët më të rregullata dhe me të vjetra të rrethojës së madhe të Durrësit.

Sipas studiuesve muri verior që mbyllte ngushticën, ishte i pajisur me kulla këndrejtë të vendosura në largësi të barabartë.