Bashkia e Durrësit, e angazhuar në promovimin e artit, kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit, si dhe e udhëhequr nga vizioni për ta shndërruar qytetin në një qendër të rëndësishme kulturore, turistike dhe sportive, shpall Thirrjen për Projekte për vitin 2026.
Nëpërmjet kësaj thirrjeje, Bashkia e Durrësit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare, synon të nxisë dhe të mbështesë realizimin e projekteve cilësore në fushën e artit, kulturës dhe sportit, duke krijuar një mjedis profesional, gjithëpërfshirës dhe mbështetës për komunitetin artistik, kulturor dhe sportiv.
Qëllimi dhe Prioritetet:
Qëllimi i kësaj thirrje është gjallërimi i jetës artistike, kulturore dhe sportive të qytetit, rritja e pjesëmarrjes qytetare dhe nxitja e zhvillimit ekonomik vendor, duke kontribuar në forcimin e identitetit kulturor dhe dinamizmit urban të Durrësit.
Prioritet do t’u jepet projekteve që:
- nxisin krijimtarinë artistike dhe kulturore;
- promovojnë vlerat dhe traditat e trashëgimisë kulturore;
- ndërthurin artin bashkëkohor me trashëgiminë kulturore;
- zhvillojnë aktivitete sportive që inkurajojnë aktivitetin fizik, përfshirjen sociale dhe jetën sportive në komunitet.
Kush mund të aplikojë?
Thirrja është e hapur për:
- Persona juridikë të regjistruar si OJF.
- Individë dhe persona fizikë të regjistruar në QKB, të cilët kanë si objekt promovimin, mbrojtjen, ruajtjen dhe zhvillimin e artit, kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
Afati i Aplikimit:
Thirrja do të qëndrojë e hapur deri më 28 Shkurt 2026. Periudha e realizimit të projekteve do të jetë nga Marsi deri Dhjetor 2026.
Mënyra e Aplikimit:
Projekt-propozimet tuaja duhet të adresohen pranë Drejtorisë së Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Komunitetit Fetar, në Bashkinë Durrës.
Dokumentacioni i nevojshëm duhet të dorëzohet në zarf të mbyllur tek Zyra e Informacionit të Bashkisë Durrës.
Elektronikisht në adresën info@durres.gov.al
Për më shumë informacion, ju lutemi referojuni udhëzimit dhe anekseve të këtij njoftimi ose kontaktoni Drejtorinë e Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Komuniteteve Fetare në Bashkinë Durrës.
Le të bashkojmë forcat për një Durrës më të gjallëruar, kreativ dhe të fuqishëm, duke respektuar traditën dhe përqafuar inovacionin!