Në Ditën Botërore të Teatrit kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako është takuar me trupën e teatrit të Durrësit të cilët i ka falenderuar dhe i ka uruar për suksesin e arritur duke fituar “Çmimin e Publikut” në Festivalin Mbarëkombëtar Teatror online “Moisiu On”. Kryebashkiakja Sako ka bashkëbiseduar me aktorët dhe regjisoren e kësaj trupe të cilët edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë pandemie që po kalojmë të gjithë, e po ashtu edhe teatri, kanë vijuar aktivitetin artistik nëpërmjet internetit. Kjo trupë teatrore në aktivitetin e saj online ka komunikuar vazhdimisht me publikun nëpërmjet audiotregimeve të Çehovit, koncerti homazh për viktimat e tërmetit, intervistat Aktorët për Aktorët, fushata Këpucët e Kuqe, etj. Pikërisht komedia “Martesa” e Çehovit e interpretuar nga kjo trupë është vlerësuar në festivalin teatror online me çmimin e publikut. Kryebashkiakja Sako deklaroi se menjëherë sapo të kalojë kjo periudhë pandemie teatri i Durrësit do të jetë sërish në skenë me shfaqje të suksesshme që do ti dhurojnë artdashësve të Durrësit emocione dhe ndjesi të bukura që vetëm arti mund ti përcjellë.
March 27, 2021