Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka zhvilluar një takim me ambasadorin e BE Luigi Soreca dhe ambasadorin e Kroacisë në Shqipëri Zlatko Kramarić. Në kuadër të aktiviteteve “Javët e Evropës” gjatë turit në Shqipëri me sloganin “Evropa është këtu” ambasadori Soreca, ekipi i tij dhe ambasadori kroat Kramarić vizituan Durrësin. Gjatë bashkëbisedimit kryebashkiakja Sako i shprehu ambasadorit Soreca mirënjohjen për mbështetjen e BE gjatë ditëve tragjike të tërmetit por edhe gjatë procesit të rindërtimit. EU4schools dhe EU4culture janë projekte që kontribuojnë në ringritjen e Durrësit. Ambasadori Soreca shprehu kënaqësinë për këtë vizitë në Durrës dhe për mikpritjen duke garantuar që BE do të jetë gjithmonë pranë qytetit tonë duke e mbështetur zhvillimin e tij me projekte konkrete. Ndihmesa e BE është e rëndësishme me rindërtimin dhe rikonstruksionin e 15 shkollave dhe kopshteve në Durrës ku 6878 nxënësit dhe fëmijët që do të jenë në to do të gjejnë aty standarte bashkëkohore si të bashkëmoshatarëve të tyre kudo në Evropë. Po kështu BE po jep një ndihmesë të jashtëzakonshme për trashëgiminë kulturore ku në Durrës me projektin e BE janë 8 objekte të rëndësishme që do të rivitalizohen dhe do të futen nëpër guida ndërkombëtare. Bashkia e Durrësit ka patur bashkëpunime të suksesshme me BE përsa i përket edhe projekteve të tjera që lidhen me fushën e turizmit, kulturës por edhe më fusha të tjera. Jam e bindur – deklaroi Sako – që ky bashkëpunim do të vijojë ngushtësisht dhe se kultura dhe historia jonë e lashtë tregojnë që kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë evropianë. Në ditën e sotme vendet e Bashkimit Evropian dhe Shqipëria promovojnë elementet përbashkues të identitetit tonë të përbashkët evropian. Kryebashkiakja Sako theksoi se falë ndihmës dhe mbështetjes së qeverisë shqiptare dhe të BE, njërit nga qytetet më antike evropiane do ti shtohen vizitorët por ajo që është më e rëndësishme falë kësaj mbështetje Durrësi po ringrihet më i fortë dhe më i bukur së më parë. Mesazhi i turit “Evropa është këtu” është një sensibilizim -vijoi Sako – që ne të vazhdojmë transformimin e rëndësishëm që kemi filluar tashmë të qytetit tonë i cili në sajë të investimeve madhore që janë bërë dhe që do të vazhdojnë të bëhen do të shndërrohet në një qytet turistik evropian. Pas takimit në bashki kryebashkiakja Sako dhe ambasadori Soreca morën pjesë në ekspozitën dhe aktivitetet artistike të zhvilluara me këtë rast në sheshin Liria.