Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka zhvilluar një takim me përfaqësues të ushtrisë së SHBA që ndodhen në Shqipëri në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21”. Delegacioni ushtarak amerikan kryesohej nga drejtuesi i grupit amerikan kapiteni Patrick Pasquet dhe shoqërohej nga ushtarakët e tjerë Terry Backus, Sean Poterfield dhe Kycer Callahan. Ushtarakët amerikanë i kanë shprehur mirënjohjen kryebashkiakes Sako për mikpritjen si dhe e kanë vënë theksin tek marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe SHBA dëshmi e të cilave është stërvitja e përbashkët që po zhvillohet në vendin tonë. Kryebashkiakja Sako deklaroi se zhvillimi i kësaj stërvitjeje të trupave të NATO në Shqipëri është e një rëndësie të lartë jo vetëm për përmasat, por edhe për mesazhet e sigurisë që përcjell. Kryebashkiakja Sako falenderoi ushtarakët amerikanë dhe Shtetet e Bashkuara që zgjodhën Shqipërinë si një ndër vendet që mirëpret këtë stërvitje dhe se kjo është dëshmi e qartë e mbështetjes së SHBA për Shqipërinë.