Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka qenë në kantierin e punëve në njësinë administrative të Sukthit. Në këtë njësi ka përfunduar rikonstruksioni i tre rrugëve të rëndësishme që lehtësojnë ndjeshëm qarkullimin dhe i shërbejnë 31 mijë banorëve të kësaj njësie por edhe pushuesve që frekuentojnë zonën e bregdetit. Menjëherë pas përfundimit të investimeve me fondet e qeverisë shqiptare të OSHEE dhe Ujësjellës Kanalizime Durrës që kanë bërë të mundur furnizimin e kësaj zone me 24 orë ujë dhe energji elektrike, Bashkia e Durrësit ne fondet e veta ka përmbyllur punën me rikonstruksionin e infrastrukturës rrugore. Kryebashkiakja Sako është takuar dhe ka bashkëbiseduar edhe me banorët kërkesa kryesore e të cilëve ishte pikërisht rikonstruksioni i këtyre akseve. Janë rehabilituar dhe asfaltuar rrugët “Perlat” 1 kilometër e gjatë, “Agimi Dajti” 900 metra dhe “Drini Fierza” 400 metra. Krahas investimeve vijon me ritme të shpejta edhe puna për rindërtimin. Kryebashkiakja Sako i ka dorëzuar çelësin e shtëpisë së re familjes Kuçaj që tashmë do të jetojë në një shtëpi shumë më të sigurtë e më të bukur se më parë. Janë 162 banesa individuale të reja që kanë përfunduar deri tani në të gjithë bashkinë e Durrësit dhe puna vazhdon me shpejtësi në shtëpitë e tjera. Po kështu kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka inspektuar punimet për rindërtimin e shkollës së mesme të bashkuar “Ismet Nanushi” dhe kopshtit me të njëjtin emër në Sukth. Ato po rindërtohen me fondet e BE në kuadër të EU4Schools. Shkolla “Ismet Nanushi” dhe kopshti me të njëjtin emër do të jenë gati në tetor për të hapur dyert për 705 nxënës dhe 80 fëmijë që do të mësojnë në kushte bashkëkohore dhe në godina me standarte evropiane. Sukthi në një kohë të shkurtër ka përfituar 5 shkolla te reja dhe 4 kopshte. Bashkia e Durrësit me fondet e saj ka ndërtuar shkollën e re në Hamallaj për 300 nxënës dhe kopshtin për 25 fëmijë. Ndërkaq në kuadër të procesit të rindërtimit me fondet e qeverisë shqiptare kanë përfunduar shkolla 9 vjeçare “Njazi Mastori” me 804 nxënës dhe kopshti me të njëjtin emër me 113 fëmijë, CU Perlat shkollë fillore me 59 nxënës dhe kopshti me 24 fëmijë, ndërsa në proces ndërtimi me fondet e BE janë shkolla “Ismet Nanushi” dhe kopshti me të njëjtin emër dhe shkolla e mesme “Dhosi Liperi” me 295 nxënës.
July 14, 2021