Qytetit të Durrësit iu shtua një tjetër qendër komunitare që shërben për integrimin e familjeve të zonës si dhe për mbulimin me shërbime të ndryshme psikosociale jo vetëm familjeve që jetojnë pranë zonës së Xhafzotaj-Rrashbull por edhe zonave të tjera përreth. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako përuroi Qendrën Komunitare Multifunksionale në Njësine administrative Rrashbull. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe Enkelejda Kallçiu, Drejtore Kombëtare e Terre des Hommes për Shqipërinë, Florenc Qosja, Koordinator Kombëtar Programi Migracioni për Zhvillim GIZ, Ana Majko, Drejtore e Nisma për ndryshim shoqëror-ARSIS partnerë zbatues, prefekti Roland Nasto si dhe përfaqësues të ndryshëm të institucioneve publike dhe grupe të rinjsh e fëmijesh nga komuniteti i zonës. Kryebashkiakja Sako ka falenderuar organizatën Terre des Hommes dhe Nisma -Arsis, ku përmes projektit me në fokus riintegrimin e familjeve të kthyera nga migracioni të financuar nga qeveria gjermane Giz, bënë të mundur ngritjen dhe funksionimin e kësaj qendre. Bashkia e Durrësit – deklaroi Sako – ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë edhe në të ardhmen hapjen e të tjera qendrave të tilla sociale. Shërbimet në Qendrën Multi-funksionale Komunitare në Rrashbull, kanë një fokus të veçantë në mbështetjen dhe fuqizimin e familjeve dhe në integrimin social, sidomos ri integrimin e te rinjve te kthyer nga migracioni. Kjo arrihet duke përdorur një qasje me në qendër individin dhe familjen, permes procesit te menaxhimit te rastit, dhe koordinimit ndermjet te gjitha institucioneve dhe sherbimeve vendore.