UNICEF Albania ka përmbyllur fushatën #TëBesoj, në qytetin e Durrësit, në sheshin Liria. Pikërisht një vit më parë, më 28 shtator 2020, UNICEF Shqipëri nisi fushatën #TëBesoj, me synimin kryesor për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi çështjen e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe për të inkurajuar fëmijët, prindërit, profesionistët dhe komunitetin në përgjithësi që ta raportojnë këtë krim. Fushata gjithashtu kishte për qëllim nxitjen e një kulture të raportimit të rasteve të dhunës dhe abuzimit, veçanërisht dhunës seksuale të kryer ndaj fëmijëve.
#TëBesoj ishte një instalacion artistik i rreth 50 siluetave të fëmijëve (djem dhe vajza), ku secila mbarte një histori abuzimi dhe shfrytëzimi të vërtetë seksual të ndodhur ndaj një fëmije në Shqipëri. Pas çdo historie, ishte një fëmijë i vërtetë, një person i vërtetë, që ende vuan pasojat nga abuzimet që u janë shkaktuar. Instalacioni udhëtoi në 11 qytete kryesore të Shqipërisë.
Gjatë këtij aktiviteti, ku UNICEF ka bërë përmbylljen e fushatës #TëBesoj, është diskutuar mbi planin e ardhshëm të veprimeve konkrete që të gjithë aktorët përgjegjës në vend, duhet të ndërmarrin për të rritur përpjekjet kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, përfaqësuesi i UNICEF Roberto de Bernardi, Shefja e Departamentit të Drejtësisë dhe Çështjeve të Sigurisë në Bashkimin Evropian në Shqipëri Lenka Vitkova, zv/ministri i shëndetësisë Albert Nikolla, zv/ambasadori italian Alberto Petrangeli.
Kryebashkiakja Sako në fjalën e saj deklaroi: “Shfrytëzimi seksual i fëmijëve është një krim me përmasa globale. Lufta ndaj këtij krimi kërkon reagim të koordinuar të institucioneve të ndryshme, si edhe organeve ligj zbatuese të qeverive, përfaqësuesve të shoqërisë civile si dhe të gjithë shoqërisë. Ështe detyrë e të gjithëve ne të parandalojmë dhe dënojmë pa asnjë hezitim çdo akt dhune që cënon mirë rritjen dhe integritetin e fëmijëve. Bashkia Durres, një nga bashkitë e para në ngritjen e strukturave për mbrojtjen e fëmijëve, ka ndërrmarrë vazhdimisht hapa të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe mirëqënies sociale. Në territorin e bashkisë Durrës aktualisht funksionojne 5 qendra rezidenciale dhe komunitare. 670 fëmijë marrin shërbim nga institucionet tona. Ne do të vijojmë ta forcojmë bashkëpunimin tonë qoftë me institucionet qëndrore ku fëmijët janë prioritet i mandatit të tretë të qeverisë Rama ashtu edhe me institucionet e huaja ku BE ka disa nisma dhe projekte të rëndësishme në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve.”
Në fjalën e tij Zv. Ministri Nikolla tha: “Doja të falenderoja UNICEF pasi ne së bashku jemi ne fazën e ngritjes së dy qendrave të reja të emergjencës, një në Fier dhe një në Shkodër, përsa i përket luftës kundër abuzimit dhe dhunës ndaj fëmijëve si dhe jemi në gatishmëri për të vijuar me programin e mbrojtjes së tyre online”.
“UNICEF është i përkushtuar të vijojë mbështetjen ndaj institucioneve të mbrojtjes së fëmijëve, për të identifikuar dhe reaguar ndaj abuzimit seksual të fëmijëve”, tha Dr. Roberto De Berndardi, Përfaqësues i UNICEF -it në Shqipëri në fjalën e tij përmbyllëse. “Ashtu siç e përmendi dhe zoti Nikolla, ne jemi krenarë që me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të sjellim në Shqipëri 2 qendra me një ndalesë, një shërbim unik dhe i specializuar, një model i reagimit emergjent, në 2 spitale të Shqipërisë, të Fierit dhe Shkodrës. Po ashtu, do të kemi në prioritetet tona mbrojtjen online, si dhe mbështetjen e punonjësve të mbrojtjes së fëmijëve me afësim dhe dije të vazhdueshme” vijoi më tej ai.
September 28, 2021