Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944. Në këtë ceremoni, e cila është zhvilluar duke zbatuar protokollin shëndetësor, merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Roland Nasto, kryetari i këshillit bashkiak Ani Dyrmishi, deputetja e Durrësit Klodiana Spahiu, kryetari i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Durrës, Besim Shahini, kryetari i organizatës së familjeve të dëshmorëve të Durrësit Edmond Agolli, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri. Ceremonia është çelur me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe më pas fjalën e rastit e ka mbajtur kryebashkiakja Sako e cila u shpreh: “Në emër të Bashkisë së Durrësit ju falënderoj për praninë tuaj këtu, ku, si çdo vit, jemi së bashku në përkujtim të ditës historike të çlirimit të qytetit tonë, ditë për të cilën kanë sakrifikuar e kanë dhënë jetën dhjetëra patriotë, luftëtarë të lirisë, të rinj e të reja.
Më lejoni të shpreh mirënjohjen e thellë të popullit të Durrësit për kontributin dhe vetëmohimin e gjithë heronjve dhe dëshmorëve që në emër të lirisë nuk kursyen asgjë për të arritur ditën e madhe dhe të lavdishme të 14 Nëntorit, ditën e çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë.
Ata janë një model për ne, një model që nuk vjetërohet. Një Shqipëri europiane ishte ëndrra e të gjithë atyre patriotëve që derdhën gjakun për këtë vend; por është edhe synimi i përbashkët për realizimin e të cilit punojmë të gjithë sot.
Durrësi, u gjend në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore sepse pikërisht në këtë qytet, më 7 prill, nisi të shkruhej me gjak historia e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Durrësi u bë në këtë mënyrë një nder qytetet me të rëndesishëm të kësaj lëvizjeje. As vrasjet apo masakrimet, burgosjet apo internimet nuk e gjymtuan dot shpirtin liridashës të popullit të këtij qyteti që u kthye në simbol të qëndresës dhe luftës ndaj nazifashizmit. Ne u përulemi me mirënjohje të gjithë atyre djemve dhe vajzave durrsake që e lidhën fatin e tyre me fatin e fitores antifashiste.
Sot, pas 77 vjetësh ne jemi krenarë te përkujtojmë ditën historike të 14 nëntorit dhe të shprehim respektin dhe mirënjohjen për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë për të sakrifikuar deri dhe jetët e tyre për lirinë e vendit.
Vepra e njerëzve idealistë të asaj kohe të lavdishme do të jenë kurdoherë nderi i qytetit tonë. Nderimi i veprave të mëdha patriotike e i vetë protagonistëve të lavdishëm të së shkuarës së qytetit tonë duhet të mos mbetet thjesht një nderim ceremonial për të shkuarën, por të jetë njëkohësisht edhe vijimi i atyre veprave, përmes reflektimit në jetën e punën tonë, të vlerave që sot na mblodhën këtu, në emër të lirive e të të drejtave që u mbrojtën me jetë njerëzish.
Durrësi, qyteti ynë, pavarësisht goditjeve që mori nga tërmetet dhe pandemia po ringrihet dhe do të vijojë të ecë me me ritme të shpejta në rrugën e tij të pandalshme drejt zhvillimit.
Të gjithë së bashku na duhet të punojmë papushim për të patur një qytet sa më të begatë, me të pastër, më të lulëzuar, me ekonomi më të zhvilluar e me mirëqenie më të lartë sepse vetëm në këtë mënyrë përmbushim jo vetëm amanetin e të rënëve, por dhe aspiratën e qytetarëve tanë.
Me sakrificat e djeshme dhe punën e sotme ne ecim të sigurt në rrugën e progresit duke u përpjekur të bëjmë më të mirën për qytetin tonë dhe të ardhmen e tij evropiane. I përjetshëm qoftë kujtimi i të rënëve dhe kjo ditë e shënuar e çlirimit të qytetit tonë.”
Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe kryetari i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Durrës, Besim Shahini si dhe kryetari i organizatës së familjeve të dëshmorëve të Durrësit Edmond Agolli, të cilët theksuan rëndësinë e jashtëzakonshme të luftës antifashiste nacionalçlirimtare si dhe vunë në dukje fakte historike nga kjo luftë dhe nga dita e çlirimit të Durrësit.
November 14, 2021