Bashkia e Durrësit, këtë vit do t’i bashkohet Panairit ndërkombëtar “Roma Food Excel 24-27 prill 2022”. Pjesëmarrja në këtë panair ndërkombëtar, bëhet në kuadër të zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional me qëllim promovimin e produkteve dhe shërbimeve turistike si njësi akomoduese, bar-restorante, kulinari, agroturizëm etj.
Rome Food Excel, që do të zhvillohet nga 24 deri në 27 Prill 2022 në Fiera Roma, është panairi i vetëm dhe më i rëndësishëm në Romë kushtuar sektorit të ushqimit dhe verërave. Roma Food Excel është një event ekselence i dedikuar tërësisht industrisë ushqimore, i krijuar për të bashkuar aktorët kryesorë të sektorit në një zgjidhje të vetme dhe për të zbuluar të rejat e këtij sektori.
Ky Panair sektorial organizohet nga kompania DMP S.R.L., e cila ka një eksperiencë 30 vjeçare në organizimin e panaireve dhe aktiviteteve të kësaj natyre. Roma Food Excel është një përqëndrim i ekselencës në sektorin ‘Food’ si: kafe, akullore, restorante, verëra, përpunimi i bukës, pasticeri, hoteleri.
Falë përvojës së një menaxhimi ndërkombëtar, do të organizohet një event unik dhe inovativ në të cilin protagonistë të vërtetë do të jenë zinxhirët e furnizimit nga e gjithë Evropa të: furrave të bukës, pastiçerive, akulloreve, picerive, birrërave, verërave, bareve, restoranteve, hoteleve etj.
Objektivi kryesor i këtij panairi është pjesëmarrja e kompanive/industrive që operojnë në sektorin e ushqimit të gatshme për të takuar klientë ndërkombëtarë, të cilët jo vetëm do të kenë mundësinë të zhvillojnë marrëdhënie me aktorët kryesorë në këtë sektor, por edhe mundësinë për të parë produktet dhe makineritë më të fundit për botën e ushqimit dhe të verërave. Roma Food Excel do të promovohet kryesisht në të gjithë territorin e Italisë, Evropës si dhe në vendet e Ballkanit.
Krahas pjesës së ekspozitës që do të përfshijë industri ushqimore, prodhues artizanë apo gjysmë industrialë, Roma Food Excel do t’i japë një rëndësi të madhe eventeve të tjera si: shfaqje gatimi, seminare, konferenca dhe konkurse të cilat do të zhvillohen si në ambientet e përbashkëta ashtu edhe në stendat e ekspozuesve.
Roma Food Excel përfaqëson një mundësi unike për të kombinuar punën me pushimet dhe vendndodhja e privilegjuar e ekspozitës në Panairin e Ri të Romës, në qendër të të gjithë pellgut të Mesdheut, do të sjellë së bashku blerës nga e gjithë Evropa.
Ky panair synon të krijojë mundësinë e bashkëpunimit dhe promovimit të turizmit nëpërmjet:
– Promovimit të shërbimeve dhe produkteve turistike të qytetit të Durrësit;
– Promovimit të potencialeve ekonomike të qytetit (numri i subjekteve ekonomike që ushtrojnë aktivitet hotelerie, prezantimi i informacionit lidhur me investimin për ndërtimin e Portit të ri turistik të qytetit, lehtësirat fiskale etj);
– Marrjes së informacionit më të fundit tregtar në lidhje me turizmin nga vendet pjesëmarrëse dhe mundësia e rritjes se biznesit lokal duke krijuar mundësinë për tërheqjen e sa më shumë turistëve dhe investitorëve të huaj;
– Shkëmbimit të eksperiencave dhe informacionit mbi njohuritë direkte në këtë sektor;
– Lidhjeve të marrëveshjeve me partnerë të interesuar për bashkëpunim me kompanitë shqiptare në nivel lokal dhe kombëtar.
Duke marrë shkas nga ky eveniment, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe operatorëve të turizmit, përfaqësues nga Drejtoria e Turizmit do të zhvillojnë takime dypalëshe me përfaqësues të autoriteteve lokale dhe rajonale të Italisë dhe jo vetëm, përfaqësues të shoqatave të ndryshme tregtare, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Itali si edhe përfaqësues të mediave të pranishëm në Panair.
Gjithashtu, delegacioni i Bashkisë së Durrësit do të marrë pjesë në Konferencën për shtyp dhe seminaret e ndryshme që do të zhvillohen gjatë Panairit me qëllim promovimin e potencialeve të vendeve pjesëmarrëse.
April 22, 2022