Me rastin e 5 Majit, ditës së nderimit për të rënët e kombit shqiptar kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka kryer homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës. Në respekt të veprës heroike të këtyre dëshmorëve e heronjve kryebashkiakja Sako ka vendosur kurora me lule në vendin ku ndodhen pllakat përkujtimore të të rënëve për liri. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe kryetari i këshillit bashkiak Ani Dyrmishi, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, prefekti Emiljan Jani, deputetë të Durrësit, drejtues të forcave të rendit, veteranë, përfaqësues të komuniteteve fetare, pasardhës të veteranëve të luftës antifashiste, përfaqësues të shoqatës së invalidëve të luftës, familjarë të heronjve dhe dëshmorëve dhe qytetarë të Durrësit. Të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit duke kryer homazhe dhe vendosur kurora me lule në nderim të atyre që dhanë jetën për kombin. Kryebashkiakja Emiriana Sako u shpreh se të gjithë përkulen me nderim përpara aktit heroik të atyre njerëzve që dhanë jetën për lirinë e vendit. Fjalën e rastit e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili deklaroi:“Si çdo 5 maj jemi mbledhur në Mauzoleumin e Dëshmorëve për të kujtuar të rënët për lirinë e Atdheut. Kjo ditë e rëndësishme duhet të ketë vëmendjen dhe respektin tonë më të thellë. Nderimi dhe mirënjohja jone në këtë 5 Maj shkon për të gjithë ata që fatin e tyre vetjak nuk e ndanë nga fati i vendit të tyre; që luftuan dhe u vetësakrifikuan në një prej sfidave më të egra të atij shekulli për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri europiane të rreshtuar me dinjitetin e fitimtarit në familjen e madhe qe ata ëndërruan. Shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për ta dhe familjet e tyre, gjithashtu edhe për familjet e ushtarakëve dhe të policëve të rënë në krye të detyrës gjatë këtyre viteve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!” Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit.
May 5, 2022