Këshilli bashkiak i Durrësit ka zhvilluar mbledhjen e rradhës. Në këtë mbledhje ku mori pjesë kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako u miratuan të gjitha vendimet e rendit të ditës. Gjatë kësaj mbledhjeje kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako deklaroi se do të fillojë aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre qytetarëve: “Kësaj jave fillojmë një aksion të rëndësishëm për lirimin e hapësirave publike fillimisht në lagjen 17 dhe më pas do të vijojmë me lirimin e hapësirave publike në lulishtet pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve. Kemi bërë njoftimin zyrtar nëpërmjet IMTV dhe policisë bashkiake duke i lënë afat të gjitha subjekteve të cilat kanë zënë këto hapësira se brenda kësaj jave duhe ti lirojnë ato. Më pas IMTV dhe policia bashkiake do të jenë në terren për të liruar këto hapësira dhe ky aksion është mjaft i rëndësishëm pasi është kërkuar nga qytetarët. Aksioni do të vijojë edhe në shëtitoren e plazhit si dhe në gjithë qytetin e Durrësit ku këto hapësira publike do të lirohen dhe do tu kthehen qytetarëve.”
Ja vendimet e miratuara në këtë mbledhje:
Për miratimin e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6% dhe fondi i të ardhurave të bashkisë Durrës, për muajin Gusht 2022.
Për miratimin e përdorimit të fondit të rindërtimit të përfituar në zbatim të vendimit të këshillit të ministrave nr. 503, datë 27.07.2022 “Për përdorimin e fondit të rindërtimit, për financimin e rindërtimit të banesave individuale në bashkitë Durrës, Vorë dhe Shijak”.
Për miratimin përdorimit të fondit të kushtëzuar të buxhetit të shtetit për emergjencat civile, që i është alokuar bashkisë Durrës për vitin 2022 në vlerën 51’984’331,06 lekë.
Për miratimin e përdorimit të fondit prej 81’000’000 lekë për likujdimin e detyrimeve ndaj OSHEE.
Për miratimin e një ndryshimi në aneksin nr.1, të vendimit të këshillit bashkiak nr. 22, datë 25.02.2021 “për miratimin e listës të subjekteve përfituese, që do të përfitojnë nga programi i proçesit të rindërtimit për pallatin nr. 1062, rruga “26 Nëntori” dhe pallatin nr. 14, rruga “Petraq Boshnjaku” njësia administrative nr. 2, të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019”.
September 6, 2022