Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit dhe luftës kundër kancerit të gjirit. Në kuadër të kësaj fushate kryetarja e bashkisë së Durrësit ka zhvilluar takime të vazhdueshme me gra dhe vajza që punojnë në fasoneri të ndryshme si dhe me punonjëset e NSHK dhe ndërmarjes “Rruga” me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre për parandalimin e kancerit të gjirit. Disa prej tyre shkuan edhe në spitalin e Durrësit ku mamografia bëhet falas gjatë gjithë vitit. Kryebashkiakja Sako ka deklaruar se lufta kundër kancerit të gjirit është beteja jonë e përbashkët, është beteja për jetën dhe se kanceri i gjirit mbetet një sëmundje e rrezikshme, por fatmirësisht mund të trajtohet dhe të evitohen pasojat, në rast se diagnostikohet herët: “Falenderoj stafet mjekësore të qendrave shëndetësore që bëjnë depistimin dhe stafin e Spitalit Rajonal Durrës që bëjnë ekzaminimet dhe ofrojnë shërbimin e kujdesit paliativ. Duhet të tregojmë vendosmëri në ngritjen e vetëdijes për rrezikun nga kjo sëmundje me qëllim që të gjithë të njihen me simptomat, me kushtet e trajtimit në institucionet shëndetësore si dhe me mundësinë për jetë normale dhe me dinjitet. I ftoj të gjitha nënat, vajzat, motrat që të bëjnë kontrollin mjekësor për të parandaluar këtë sëmundje. Të mos shërbejë vetëm muaji tetor për depistimin e kancerit të gjirit por le të jetë një kujdes gjithë vjetor.”