Në vazhdimësi të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të Përgatitjes dhe hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2023-2025, bashkia e Durrësit zhvilloi Dëgjesën Publike në Njësinë Administrative Sukth për katër programet më krysore të buxhetit të Bashkisë Durrës:
-Programi i Paketës Fiskale,
-Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimet Publik
-Programi i Arsimit parashkollor dhe parauniversitar
-Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
Në këtë takim kishte një pjesëmarrje të gjërë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të Njësisë Administrative të Sukthit, përfaqësues të grupeve të interesit, institucioneve arsimore, OJF-ve që operojnë në këtë Njësi Administrative, grupet këshillimore, komisione të Këshillit Bashkiak si dhe përfaqësues të biznesit.
Takimin e hapi Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako e cila pasi përshëndeti dhe falenderoi pjesëmarrësit, foli për rëndësinë që kanë Dëgjesat Publike për hartimin e Buxhetit Afatmesëm si një proces shumë i rëndësishëm për të paraqitur punën që është bërë, projektet që janë realizuar deri tani dhe cfarë do të bëjmë në të ardhmen.
Në Njësinë Administrative Sukth, janë bërë kryesisht ndërhyrje në infrastrukturë, janë realizuar investime në ujesjellës, arsim, kanalizime, infrastrukturë rrugore dhe fusha të tjera. Kryebashkiakja Sako deklaroi se në këtë zonë do të ketë të tjera investime të rëndësishme:
“Këtë vit, prioritet të madh i dhamë sektorit të Turizmit dhe menaxhimit të mbetjeve. Për vitin e ardhshëm do të fokusohemi tek Bujqësia. Ka shumë familje në zonën e Sukthit, që të ardhurat e tyre familjare i mbështesin tek prodhimet bujqësore. Aktualisht jemi në një fazë projekti për ngritjen e kapanoneve që do të shërbejnë si pikë grumbullimi, depozitimi dhe ruajtje për prodhimet tuaja bujqesore, projekt që është cuar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës.Në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, u miratua një iniciativë bashkëpunimi midis fermerëve dhe Bashkisë Durrës, në ndihmë të fermerëve për nevojat e tyre, aplikimet për grantet, ruajtje dhe depozitim të prodhimeve. Ne i kemi marrë në shqyrtim të gjitha kërkesat e njësisë suaj”.
Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimin e katër programeve buxhetore për PBA 2023-2025, të cilat u prezantuan nga ana e Drejtorëve të Drejtorive përkatëse të Bashkisë Durrës .
Pas prezantimit të këtyre programeve fjalën e morën të pranishmit në sallë të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet, si dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.
November 3, 2022