Në vazhdimësi të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të Përgatitjes dhe hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2023-2025, zhvilluam Dëgjesën Publike në Njësinë Administrative Ishëm për katër programet më krysore të buxhetit të Bashkisë Durrës:
-Programi i Paketës Fiskale,
-Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimet Publik
-Programi i Arsimit parashkollor dhe parauniversitar
-Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
Në këtë takim ishin të pranishëm ishin përfaqësues të Njësisë Administrative të Ishëm, përfaqësues të grupeve të interesit, institucioneve arsimore, OJF, grupet këshillimore si dhe komisione të Këshilit Bashkiak
Takimin e hapi Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako e cila pasi përshëndeti dhe falenderoi pjesmarrësit, tha se kemi nisur një fazë të rëndësishme të Dëgjesave Publike dhe takimeve me komunitetin, për planifikimin e buxhetit për tre vitet e ardhshme:
“Në Njësinë Administrative Ishëm janë bërë shumë ndërhyrje në infrastrukturë, duke pasur parasysh që Ishmi për vetë pozicionin gjeografik, ka rrëshqitje toke, rrugë të gjata dhe distanca të mëdha nga fshati në fshat. Janë realizuar investime në ujesjellës dhe është vendosur uji i pijshëm në zonat problematike. Gjithashtu në zonën e Ishmit është vendosur tensioni 20 kilo/volt. Edhe për Njësinë Administrative Ishëm, janë caktuar fonde në buxhet për vijimin e rehabilitimit të infrastrukturës rrugore. Këtë vit, prioritet të madh i dhamë sektorit të Turizmit, si një shtyllë kryesore e ekonomisë. Këtë sezon, turizmi ka patur një hov të jashtëzakonshëm në Durrës. Mbi 1 milion turistë kanë vizituar qytetin. Edhe plazhi në Gjirin e Lalëzit në zonën e Ishmit si një zonë turistike, ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të zonës së Ishmit. Prioritet në vitin e ardhshëm do të jetë sektori i Bujqësisë. Me vendim të këshillit bashkiak, u miratua një iniciativë bashkëpunimi midis fermerëve dhe Bashkisë Durrës, për të ndihmuar financiarisht fermerët me buxhet nga Bashkia si dhe për ti orientuar për problemet që ata kanë, për aplikimet për grantet, ruajtje dhe depozitim të prodhimeve.”
Në përfundim, kryebashkiakja Sako tha se ne i kemi marrë në shqyrtim të gjitha kërkesat e njësisë suaj dhe presim një bashkëbisedim të hapur me ju për kërkesat dhe nevojat tuaja me imediate. Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimin e katër programeve buxhetore për PBA 2023-2025, të cilat u prezantuan nga ana e Drejtorëve të Drejtorive përkatëse të Bashkisë Durrës. Pas prezantimit të këtyre programeve fjalën e morën banorët dhe të pranishmit në sallë të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet, si dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.
November 4, 2022