Bashkia e Durrësit ka zhvilluar dëgjesën publike në Njësinë Administrative nr.5 që përfshin zonat e Plazhit dhe Shkozetit për katër programet më kryesore të buxhetit të Bashkisë Durrës si:
-Programi i Paketës Fiskale,
-Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimet Publik
-Programi i Arsimit parashkollor dhe parauniversitar
-Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
Kjo dëgjesë u zhvillua në vazhdimësi të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të Përgatitjes dhe hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2023-2025.
Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të Njësisë Administrative Nr.5 të zonës së Plazhit dhe Shkozetit (Lagja 13 dhe 14), përfaqësues të , institucioneve arsimore dhe të shoqërisë civile.
Takimin e hapi Kryetarja e Bashkisë Durrës Emiriana Sako e cila pasi përshëndeti dhe falenderoi pjesmarrësit, tha se kemi nisur një fazë të rëndësishme të Dëgjesave Publike dhe takimeve me komunitetin, për planifikimin e buxhetit për tre vitet e ardhshme dhe do të prezantojmë projektet më të rëndësishme për Njësinë Administrative Nr.5: “E zhvillojmë këtë Dëgjesë Publike me komunitetin e zonës tuaj për tju dëgjuar për kërkesat dhe sugjerimet tuaja dhe për ti dhënë prioritet kërkesave tuaja në buxhetin që do hartojmë për tre vitet në vazhdim. Kemi realizuar investime të rëndësishme në zonën e Plazhit, e cila si zonë turistike ka qenë prioritet për Bashkine tonë. Investim i rëndësishëm në këtë zonë do të bëhet zbatimi i projektit për ndërhyrjen në shëtitoren e Plazhit, e cila do ti shërbejë jo vetem turizmit, si një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik të qytetit, por dhe bizneseve të zonës dhe për më shumë gjithë banorëve të kësaj zone. Ne kemi bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, aplikojmë me projekte dhe marrim fonde për investime të mëdha. Me Ndërmarrjen e Ujësjellësit, kemi bërë projektin për qytetin e Durrësit, Shkozetin dhe Plazhin. Gjithashtu do të aplikojmë pranë Qeverisë për të marrë fonde dhe për kanalizimet, për të cilat do të bëjmë një investim madhor, jo me segmente të vecanta dhe të fragmentuara. Kemi bërë masterplanin për ndriçimin e qytetit të Durrësit dhe rrugët e Plazhit dhe do të vazhdojmë edhe për rrugën e Shkozetit. Këtë masterplan do ta vazhdojmë me buxhet çdo vit. Gjithashtu do të bëhet mbushja me rërë e zones së Plazhit, në një fazë të dytë të projektit për shëtitoren e Plazhit.”
Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimin e katër programeve buxhetore për PBA 2023-2025, të cilat u prezantuan nga ana e Drejtorëve të Drejtorive përkatëse të Bashkisë Durrës .
Pas prezantimit të këtyre programeve fjalën e morën banorët dhe të pranishmit në sallë të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet, si dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.
November 8, 2022