Në vazhdimësi të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të Përgatitjes dhe hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2023-2025, bashkia e Durrësit zhvilloi Dëgjesën Publike me Njësitë Administrative Nr.4 dhe Nr.6 për katër programet më kryesore të buxhetit të kësaj bashkie si:
-Programi i Paketës Fiskale,
-Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimet Publik
-Programi i Arsimit parashkollor dhe parauniversitar
-Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
Në këtë takim kishte një pjesëmarrje të gjërë, ku të pranishëm ishin banore të Njësive Administrative Nr 4 dhe Nr 6, përfaqësues të grupeve të interesit, institucioneve arsimore, OJF, grupet këshillimore si dhe komisione të Këshillit Bashkiak.
Takimin e hapi Kryetarja e Bashkisë Durrës Emiriana Sako e cila pasi përshëndeti dhe falenderoi pjesëmarrësit, tha se po zhvillojmë një fazë të rëndësishme të Dëgjesave Publike dhe takimeve me komunitetin, në çdo Njësi Administrative për planifikimin e buxhetit për tre vitet e ardhshme: “Po zhvillojmë Dëgjesën Publike me Njësitë Administrative Nr.4 dhe Nr.6, për të paraqitur investimet që ne kemi kryer në zonat tuaja, por dhe ato që do të bëjmë në vazhdim. Jo të gjitha investimet i përfunojmë në një vit, pra do të ketë shtrirje dhe për vitet në vazhdim deri në vitin 2025.
Zona juaj, pas rënies së tërmetit, ka pasur ndryshime të mëdha. Kjo për faktin sepse jo vetëm janë ndërtuar shkolla të reja, por po ndërtohet dhe një Lagje e Re, krijimi i një Parku në Porto Romano e ka tjetërsuar pozitivisht këtë zonë duke rritur interesin e zhvillimit ekonomik te saj.
Një rëndësi të jashtëzakonshme ka projekti i Portit të Ri. Duke qenë se projekti i Marinës Turistike është futur në rrugën e miratimit në Parlament, shumë shpejt do të bëhet transferimi i Portit në veri të qytetit, e cila do të thotë më shumë investime dhe zhvillim ekonomik për zonën.
Perveç fondeve që kemi me buxhetin tonë të Bashkisë, ne aplikojmë dhe me projekte në Qeverinë Shqiptare dhe shumë projekte që kemi fituar këtë vit, janë investuar për zonën tuaj si: Rruga Miqësia, e cila është në përfundim, Rruga Azem Hajdari, Rruga Vala e Detit, projekti i madh i rehabilitimit të kuartallit në njësinë nr. 6, por që përfshin dhe njësinë nr. 4, ku ne duam të japim një model të ri zhvillimi. Në zonat tuaja janë kryer investime në akset kryesore të rrugeve, kanalizimet, ndriçimin e dy rrugëve kryesore që janë shtruar. Në një kohë të shkurtër, kemi bërë një projekt shumë të madh në zonën tuaj, duke aplikuar në Qeverinë Shqiptare, dhe shumë shpejt do të fillojë zbatimi që do të jetë modeli si do të transformohet kjo zonë, zona e Durrësit të Ri.”
Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimin e katër programeve buxhetore për PBA 2023-2025, të cilat u prezantuan nga ana e Drejtorëve të Drejtorive përkatëse të Bashkisë Durrës. Pas prezantimit të këtyre programeve fjalën e morën banorët dhe të pranishmit në sallë të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet, si dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.
November 10, 2022