Këshilli bashkiak i Durrësit ka zhvilluar mbledhjen e rradhës. Në këtë mbledhje ku mori pjesë kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako u miratuan të gjitha vendimet e rendit të ditës si dhe u njohën këshilltarët me një informacion mbi proçedurën e daljes jashtë përdorimit të aktiveve të panevojshme të institucioneve në varësi të Qendrës Ekonomike të Arsimit. Ja vendimet e miratuara:
- Për miratimin e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6% dhe fondi i të ardhurave të bashkisë Durrës, për muajin nëntor 2022.
- Për mbarimin përpara afatit të mandatit të këshilltarit z. Jurgen Dashi.
- Për mbarimin përpara afatit të mandatit të këshilltares znj. Valbona Begiçi.
- Për mbarimin përpara afatit të mandatit të këshilltarit z. Nazmi Bodlli.
- Për ndryshimin e vkb-së nr. 248, datë 10.04.2015 ”për shqyrtimin dhe miratimin e listës emërore të përfituesve për ndarjen e banesave sociale me qira me strukturë 2+1 dhe 1+1”, seksioni i, (lagjja nr. 17, rruga “Dalip Peza”), i ndryshuar.
- Për miratimin e ndryshimit të vkb nr.64, datë 07.07.2020, përsa i përket ndryshimit të listave emërore të familjeve përfituese të grantit për rikonstruksionin ose riparimin e banesave të dëmtuara si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019, për shkak të ndryshimit të kategorisë së dëmit të shkaktuar.
- Për miratimin e programit të punës së këshillit të bashkisë Durrës për periudhën Janar – Dhjetor 2023.
- Për miratimin e përdorimit të fondit prej 6’758’672 lekë, akorduar nga ministria e financave dhe ekonomisë për bashkinë Durrës, për subvencionimin e qirasë për familjet, që përmbushin kriteret ligjore për përfitimin e bonusit të strehimit.
- Për miratimin e listës së dymbëdhjetë të 31 subjekteve përfituese, të cilët do të përfitojnë masën e grantit të rindërtimit të banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, sipas projektit model.
- Për miratimin e hartës së përgjithshme të plazheve të lejuara ku do të ushtrohet veprimtaria si stacion plazhi, si dhe plazhet publike për vitin 2023.
- Për miratimin ndryshimit të aneksit nr. 1, të vendimit të këshillit bashkiak nr. 32, datë 26.03.2021 “për miratimin e listës së përfituesve nga programi i procesit të rindërtimit për 4 banesa kolektive, L. 17, rruga “Lura”, pallatet nr. 1&3, dhe rruga “Ahmet Dakli”, pallatet nr. 15&23, të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.
November 24, 2022