Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës në 26 nëntor 1912. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Emiljan Jani, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, deputetja Klodiana Spahiu, përfaqësues të veteranëve dhe qytetarë të Durrësit. Pas tingujve të himnit kombëtar, flamurin pranë Bashkisë e ka ngritur kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako. Kryebashkiakja Sako deklaroi se të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit:

“Ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu në përkujtim të ngjarjes së madhe të  110 viteve më parë, kur përfaqësuesit e qytetit të Durrësit vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga perandoria osmane. Kjo është padyshim ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti në gjithë shekullin e 20-të e në vijim.

Jemi të nderuar që përsërisim sot, 110 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912.Durrësi kaloi një periudhë shumë të vështirë shkaktuar nga tërmeti dhe nga pandemia globale. Por edhe ne sot, të gjithë bashkë, ashtu si dikur patriotët e vendit, i kaluam vështirësitë duke bërë më të mirën për qytetin tonë.

Ne u kushtojmë nderimin e merituar atyre veprimtarëve që i përballuan me sukses detyrat historike dhe e siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë me njerëz të devotshëm, të kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi. Mendja dhe nderimi ynë shkojnë sot tek Agostin Sereqi, Sotir Vevecka e Sulejman Kadiu; tek Stefan e Marie Kaçulini; tek të gjithë ata që përgatiten dhe valëviten flamurin kombëtar në qytetin tonë; për delegatët durrsake Dom Nikolle Kaçorri, Abaz Çelkupa dhe Mustafa Basha, që ditë më pas nënshkruan në dokumentin historik të pagëzimit të pavarësisë.

Sot mund të duket se ata burra e ato gra të zonja, që patën vetëdijen politike dhe guximin vetjak të ngrenë flamurin kombëtar më 26 nëntor 1912 bënë thjesht një manifestim. Por ajo ngritje flamuri nuk ishte një rit ceremonial¸ajo ishte një ndarje me të kaluarën dhe një këputje zinxhirësh. Ishte vetëm hapi i parë për t’iu kthyer vetes. Shekulli i shqiptarëve do të tregonte se më e vështirë se shpallja e pavarësisë ishte realizimi i pavarësisë; më e vështirë se refuzimi i otomanizmit do të ishte çrrënjosja e tij, e mendësisë anadollake, autokratike, që  Porta e Lartë kishte lënë tek shqiptarët si mënyrë sundimi.

Në këtë ditë ne festojmë me dinjitet, sepse Shqipëria nuk eshte më ajo e fillimshekullit të 20-të ku shqiptarët ishin populli më i diskriminuar në rajon, populli më i pambrojtur, populli me më pa aleatë. Ishte populli me trojet e të cilit mund t’u bëheshin ndere të tjerëve.Shqiptarët sot janë popull që të drejtat e tyre historike po ia kompenson pikërisht ajo Europë që aq shumë e përfolën. Pozita jonë gjeopolitike në rajon ka ndryshuar në thelbin e vet duke na bërë të ndihemi të realizuar;  sot kemi te gjithe arsyet për të festuar duke iu gëzuar faktit që, në këtë ditë të madhe, së bashku me historinë e rritjes së vështirë të shtetit shqiptar, është rritur dhe vetëdija jonë shtetërore.

Historia e vendit tonë ashtu si dhe historia e qytetit është e mbushur me beteja në përpjekje për tu ringritur sa herë që jemi goditur. Durrësi është plagosur dhe rrëzuar edhe herë të tjera në historinë e tij të lashtë por sërish ka gjetur forca të ringrihet dhe të jetojë edhe më mirë se më parë. Kështu po ndodh edhe sot, tre vjet pas tërmetit të tmerrshëm, ku të gjithë bashkë ia dolem mbanë që qytetin e përkulur nga një fatkeqësi natyrore e rikthyem në normalitet madje edhe më të mirë, edhe më të  bukur edhe më të fortë se më parë. Rroftë 26 Nëntori, kjo ditë historike e qytetit tonë dhe gëzuar te gjithëve festën e madhe të Shpalljes së Pavarësisë!”