Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka bërë betimin përpara këshillit bashkiak për mandatin 2023 – 2027. Pas betimit kryebashkiakja Sako deklaroi se do të vijojë puna për transformimin e Durrësit drejt një qyteti turistik evropian: “I uroj këtij këshilli të ri bashkiak punë të mbarë me besimin se të gjithë së bashku do të punojmë në funksion të interesave të qytetit dhe qytetarëve. Falenderoj të gjithë qytetarët e Durrësit për besimin dhe i garantoj se do të vazhdojmë punën për transformimin e qytetit tonë drejt një qyteti turistik evropian. Kjo detyrë është një privilegj por edhe një përgjegjësi e madhe që më jep mundësinë ti shërbej me përkushtim e pasion qytetit dhe të gjithë qytetarëve të Durrësit pa asnjë dallim. Kam detyrimin ti shkoj deri në fund të gjitha angazhimeve që kemi marrë përpara qytetarëve. Jam krenare që të gjithë së bashku do të vazhdojmë rrugëtimin për zhvillimin e Durrësit. Katër vite në fakt nuk janë shumë por unë besoj janë mjaftueshëm për të qenë bashkëudhëtarë në një etapë të rëndësishme të zhvillimit të qytetit tonë përmes projekteve madhore.” Betimi i kryebashkiakes Emiriana Sako u krye gjatë procesit të konstituimit të këshillit bashkiak ku fillimisht anëtarët e këtij këshilli janë betuar dhe kaën nisur zyrtarisht detyrën. Më pas janë zgjedhur me votim kryetari i këshillit bashkiak Ani Dyrmishi, dy nënkryetarët Alneida Rroshi dhe Edlira Devolli, si dhe përfaqësuesit e bashkisë në këshillin e Qarkut Durrës.
June 21, 2023