Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Emiljan Jani, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, kryetari i këshillit bashkiak Ani Dyrmishi, deputetë të Durrësit, përfaqësues të organizatës së veteranëve të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri. Ceremonia është çelur me ekzekutimin e himnit kombëtar nga kori i nxënësve të shkollës “Migjeni” dhe më pas fjalën e rastit e ka mbajtur kryebashkiakja Sako e cila u shpreh:
Në emër të Bashkisë së Durrësit ju falënderoj për praninë tuaj këtu, në përkujtim të ditës historike të çlirimit të qytetit tonë, ditë për të cilën kanë sakrifikuar e kanë dhënë jetën dhjetëra patriotë, luftëtarë të lirisë, të rinj e të reja. Më lejoni të shpreh mirënjohjen e thellë të popullit të Durrësit për kontributin dhe vetëmohimin e gjithë heronjve dhe dëshmorëve që në emër të lirisë nuk kursyen asgjë për të arritur ditën e madhe dhe të lavdishme të 14 Nëntorit, ditën e çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë.
Pikërisht në qytetin tonë, nisi të shkruhej me gjak historia e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që më 7 prill 1939. Durrësi u bë në këtë mënyrë një ndër qytetet me të rëndesishëm të kësaj lëvizjeje. Me kalimin e viteve edhe nën okupimin nazist, qyteti nuk e ndali luftën për çlirim, por përkundrazi e shtoi atë edhe më shumë, duke zgjeruar bazat e luftës dhe shtuar rradhët e luftëtarëve të lirisë.
As vrasjet apo masakrimet, burgosjet apo internimet nuk e gjymtuan dot shpirtin liridashës të popullit të këtij qyteti që u kthye në simbol të qëndresës dhe luftës ndaj nazifashizmit. Ne u përulemi me mirënjohje të gjithë atyre djemve dhe vajzave durrsake që e lidhën fatin e tyre me fatin e fitores antifashiste. Sot, pas 79 vjetësh ne jemi krenarë te përkujtojmë ditën historike të 14 nëntorit dhe të shprehim respektin dhe mirënjohjen për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë për të sakrifikuar deri dhe jetët e tyre për lirinë e vendit.
Kjo ditë, teksa na fton të gjithëve si qytetarë të shprehim mirënjohjen, na obligon si brez t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore, historike të asaj epoke të lavdishme dhe njëkohësisht neve, që drejtojmë sot këtë qytet na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesorja ajo që ka të bëjë me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; një Shqipëri të lirë dhe evropiane. Të gjithë së bashku na duhet të punojmë sa më shumë që qyteti ynë, të ecë me ritme të shpejta në rrugën e zhvillimit, sepse vetëm në këtë mënyrë përmbushim jo vetëm amanetin e të rënëve, por dhe aspiratën e qytetarëve tanë.”
Në këtë ceremoni e ka marrë fjalën edhe përfaqësuesi i organizatës së veteranëve të LANÇ-it, Kristaq Prifti, i cili theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të luftës antifashiste nacionalçlirimtare si dhe vunë në dukje fakte historike nga kjo luftë dhe nga dita e çlirimit të Durrësit.
November 14, 2023