KËRKO

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako dhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj marrin pjesë në ceremoninë solemne në përkujtim të 111 vjetorit të Ditës së Flamurit në Durrës

Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës në 26 nëntor 1912. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë Presidenti i Republikës Bajram Begaj, kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Emiljan Jani, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, deputetë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe përfaqësues të veteranëve luftës. Ceremonia ka filluar me ngritjen e flamurit pranë Bashkisë në prezencën e kryebashkiakes Emiriana Sako dhe presidentit të Republikës Bajram Begaj dhe më pas ka vijuar me himnin kombëtar të kënduar nga kori i fëmijëve të qytetit. Në fjalën e rastit kryebashkiakja Sako deklaroi se të gjithë përulen me respekt përpara atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit:

“Ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu në përkujtim të ngjarjes së madhe, kur përfaqësuesit e qytetit të Durrësit vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga perandoria osmane. Kjo është padyshim ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti në gjithë shekullin e 20 e në vijim. Jemi të nderuar që përsërisim sot, 111 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912.

Ne u kushtojmë nderimin e merituar atyre veprimtarëve që i përballuan me sukses detyrat historike dhe e siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë me njerëz të devotshëm, të kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi. Mendja dhe nderimi ynë shkojnë sot tek Agostin Sereqi, Sotir Vevecka e Sulejman Kadiu; tek Stefan e Marie Kaçulini; tek të gjithë ata që përgatiten dhe valëviten flamurin kombëtar në qytetin tonë. Nderojme sot patriotët durrsakë që ishin delegatë në kuvendin e Vlorës dom Nikollë Kaçorri, Jahja Ballhysa, Abaz Çelkupa dhe Mustafa Basha.

Ajo ngritje flamuri nuk ishte një rit ceremonial, ajo ishte një ndarje me të kaluarën dhe një këputje zinxhirësh. Ishte vetëm hapi i parë për t’iu kthyer vetes. Shekulli i shqiptarëve do të tregonte se më e vështirë se shpallja e pavarësisë ishte realizimi i pavarësisë; më e vështirë se refuzimi i otomanizmit do të ishte çrrënjosja e tij, çrrenjosja e mendësisë anadollake, autokratike, që Porta e Lartë kishte lënë tek shqiptarët si mënyrë sundimi. Në këtë ditë ne festojmë me dinjitet, sepse Shqipëria nuk eshte më ajo e fillimshekullit të 20-të ku shqiptarët ishin populli më i diskriminuar në rajon, populli më i pambrojtur, populli me më pa aleatë, populli me trojet e të cilit mund t’u bëheshin ndere të tjerëve.
Shqiptarët sot janë popull që të drejtat e tyre historike po ia kompenson pikërisht ajo Europë që aq shumë e përfolën. Pozita jonë gjeopolitike në rajon ka ndryshuar në thelbin e vet duke na bërë të ndihemi të realizuar; sot kemi te gjithe arsyet për të festuar duke iu gëzuar faktit që, në këtë ditë të madhe, së bashku me historinë e rritjes së vështirë të shtetit shqiptar, është rritur dhe vetëdija jonë shtetërore.
I nderuar zoti President i Republikes!

Ju falenderojmë për praninë tuaj në këtë ditë që na jep të drejtë të ndihemi në të njëjtën lartësi me popujt e tjerë të Evropës, në sajë të përpjekjeve dhe luftës sonë për mëvetësi. Falë kësaj lufte e qëndrese shqiptarët treguan që nuk janë kapitullantë edhe kur gjenden në momente braktisjeje e harrimi, dhe kemi treguar gjithashtu se në momente kyçe kemi ditur të vendosemi në anën e duhur të historisë. Le të jetë kjo ngjarje që na bashkon edhe një ftesë për të përfituar prej më të mirave tona në histori. Rroftë 26 Nëntori, kjo ditë historike e qytetit tonë dhe gëzuar te gjithëve festën e madhe të Shpalljes së Pavarësisë!”
Në fjalën e tij presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj deklaroi se me ngritjen e flamurit, më 26 nëntor 1912, u cel rrugëtimi drejt krijimit te shtetit të pavarur të shqipëtarëve dhe se kështu, Durrësi dëshmoi se Shqipëria do të bëhej dhe asnjë përçarje, tradhti apo intrigë nuk do ta ndalte dot krijimin e shtetit modern të një kombi historik në Europë:

“Të nderuar të ftuar dhe qytetarë të Durrësit. Jemi bashkë sot për të nderuar historinë, si mënyra më e mirë që, duke nderuar dhe kuptuar të shkuarën, të projektojmë më mirë të ardhmen ku duam të shkojmë, Shqipërinë e së ardhshmes, një vend që dimë si ka qenë, e jetojmë siç është dhe duam që të jetë, ashtu siç na e kanë lënë amanet etërit e atdheut tonë të përbashkët. Durrësi, qyteti me historinë e madhe dhe të jashtëzakonshme të Dyrrahut antik, të Durrësit port, është ajo pjesë e Shqipërisë ku fryn gjithmonë era dhe frymëzimi i Perëndimit.

Durrësi është qyteti i parë i Rilindjes sonë, ku 111 vjet më parë, më 26 nëntor të vitit 1912 u ngrit krenar flamuri i Kastriotit të lavdishëm, një akt i shenjtë dhe një kujtesë për vlerat më të shtrenjta, njësoj si gjaku dhe gjuha, njësoj si betejat dhe sakrificat e panumërta që janë bërë mbi këtë tokë e për këtë truall. Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës qytetarëve të trevës së Durrësit, atdhetarë kurajozë në përpjekjet sfiduese për hapjen e shkollave shqipe dhe ruajtjen e shqipes, veprimtarë të çështjes kombëtare me angazhimin e tyre si pjesë e lëvizjes mbarëkombëtare për liri e pavarësi.

Në një kohë kaosi politik, administrativ e social, dhe të mungesës së qartësisë për të ardhmen, durrsakët, me maturi dhe zgjuarsi, u bënë pararendësit e ngjarjes më të rëndësishme për kombin tonë që do të ndodhte vetëm dy ditë më vonë në Vlorë. Durrësi është qyteti i parë që priti Ismail Qemalin dhe atdhetarët e shquar që e shoqëronin në rrugëtimin për realizimin e ëndrrës dhe misionit të shenjtë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Me ngritjen e flamurit, më 26 nëntor 1912, u cel rrugëtimi drejt krijimit te shtetit të pavarur të shqipëtarëve. Kështu, Durrësi dëshmoi se Shqipëria do të bëhej dhe asnjë përcarje, tradhti apo intrigë nuk do ta ndalte dot krijimin e shtetit modern të një kombi historik në Europë.
Në këtë përvjetor ne nderojmë me respekt dhe mirënjohje figurat e shquara durrsake për veprimtarinë atdhetare, kurajon dhe vizionin për një shtet të lirë e të pavarur shqiptar: kryetarin e parë të Bashkisë së Durrësit, zotin Hafiz Ali Podgorica, klubet patriotike “Vllaznia” dhe “Bashkimi”, përfaqësuesit e Durrësit në Kuvendin e Vlorës, Dom Nikollë Kaçorri, Jahja Ballhysa, Mustafa Basha dhe Abaz Çelkupa, patriotët durrsakë, Agostin Sereqi, Sotir Veveçka, Sulejman Kadiu, Stefan e Marie Kaçulinit, e të tjerë. Klubet patriotike “Vllaznia” e “Bashkimi” dhe vula e bashkisë, e cila në prag të shpalljes së pavarësisë kishte në mes shqiponjën dykrenare të rrethuar me shkrimin “Këshilla e Katundarisë Durrës” ishin dëshmues të faktit se sa të lidhur ishin durrsakët me lëvizjen patriotike shqiptare.

Duke nderuar këto personalite që luftuan për drejtësi, barazi dhe liri, duke iu dhënë atyre të gjithë mirënjohjen tonë, ne i japim më shumë kurajo dhe dinjitet vetes. Duke respektuar rrënjët, kuptojmë më mirë çfarë duhet të ngrihet edhe më tej mbi ato themele gjaku dhe dinjiteti. 26 Nëntori është, gjithashtu, një ditë për t’u ripërkushtuar ndaj vlerave të dhembshurisë, ndjeshmërisë dhe solidaritetit, është një ditë për të riafirmuar përkushtimin tonë për ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë. 4 vjet me parë ky qytet dhe banorët e tij u përballën me një nga fatkeqësitë natyrore më të vështira që ka kaluar vendi ynë dekadat e fundit. Vlerat njerëzore të këtij qyteti dhe të kombit tonë si: humanizmi, solidariteti, angazhimi, mobilizimi, dhe puna e jashtëzakonshme bënë që gjurmët e asaj fatkeqësie të kalonin sa më shpejt. Sot, pas 4 vjetësh, le të kujtojmë me respekt viktimat e tërmetit të 26-nëntorit.
Të nderuar qytetarë të Durrësit. Kjo ditë shërben edhe si një mundësi për ne, që të shikojmë të ardhmen me shpresë dhe vendosmëri. Në këtë ditë le të kujtojmë mësimet e së kaluarës dhe t’i përdorim ato për të na udhëhequr në rrugëtimin tonë në të tashmen dhe të ardhmen. Durresi është porta historike e Shqipërisë dhe e kombit për në Europë, dhe e tillë do të mbetet edhe në të ardhmen, kur sfidat tona do të jenë akoma më të rëndësishme, kur ne të jemi pjesë e familjes së madhe në Europën e bashkuar. Durrësi, si pak qendra të tjera urbane në Shqipëri, ka qenë Europë edhe në kohën kur e gjithë Shqipëria ishte nën zymtësinë e akullt, monotone e të dëshpëruar të grisë së Lindjes, sepse ka qenë portë e parë dhe port i Perëndimit në Shqipëri.
Qyteti juaj ka ditur gjithmonë të bëjë zgjedhjet e duhura, duke ruajtur karakterin e tij specifik: ndërthurjen e trashëgimisë historike e kulturore me dinamikat e zhvillimit. Durrësi është një ndër pasuritë më të mëdha të trashëgimisë sonë kulturore. Durrësi historik duhet të ruajë fizionominë e tij, e reja duhet ta respektojë e të harmonizohet me të. Në Durrës po realizohen investime domethënëse dhe projekte sfiduese me rëndësi urbane, të cilat pritet të krijojnë mundësi të reja punësimi, të nxisin zhvillimin ekonomik, të rrisin turizmin dhe mirëqenien e qytetarëve durrsakë. Durrësi është ndër qytetet më të rëndësishme shqiptare.
Të tillë e bën atë jo thjesht pozita gjeografike, por edhe rëndësia gjeo-strategjike. Kjo rëndësi nuk lidhet vetëm me historinë e jashtëzakonshme të këtij qyteti dhe të shqiptarëve që jetojnë në 5 shtete në Ballkan, por kji lidhet ngushtë me të ardhmen tonë të përbashkët, të ardhmen e kombit shqiptar. Korridori 8-të, qe lidh Lindjen me Perëndimin, projektet e mëdha infrastrukturore që do të ndërtohen, zhvillimi i Turizmit modern, i shoqëruar edhe me urat lidhëse, e bëjnë Durrësin portën kryesore të shqiptarëve me të ardhmen e tyre Europiane. Durrësi është krenari e Shqipërisë, është histori e hershme plot dritë në këtë anë të Adriatikut, është edhe e nesërme e padiskutueshme e historisë sonë moderne. Le ta gëzojmë së bashku këtë ditë të bekuar!”
Pas kësaj ceremonie kryebashkiakja Emiriana Sako dhe presidenti i Republikës Bajram Begaj vizituan ekspozitën me temë nga lufta për pavarësi ku ishin ekspozuar vepra të piktorëve të njohur të Durrësit dhe të vendit tonë. Po kështu ata vizituan edhe disa site të rëndësishme arkeologjike të Durrësit si amfiteatri, torra veneciane dhe kulla anzhuine.