Bashkia e Durrësit ka zhvilluar një ceremoni me rastin e 79 vjetorit të çlirimit të vendit. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Emiljan Jani, kreu i qarkut Alfred Mullaraj, deputetë, përfaqësues të organizatës së veteranëve, drejtues të tjerë të pushtetit vendor, perfaqesues te komuniteteve ferare dhe shumë qytetarë durrsakë kanë bërë homazhe për të rënët dhe kanë vendosur kurora me lule në Mauzoleumin e Dëshmorëve. Të gjithë të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit. Kryebashkiakja Sako u shpreh se në 29 nëntor gjithë Durrësi dhe vendi ynë kujton dhe nderon ata që e deshën aq shumë këtë vend sa dhanë jetën e tyre për të. “Me rastin e 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të Atdheut, zhvilluam homazhe dhe vendosëm kurora me lule në Mauzoleumin e Dëshmorëve. Jemi krenarë dhe përulemi me respekt përpara veprës dhe kujtimit të atyre shqiptarëve patriotë, pjesa dërrmuese të reja e të rinj, të cilët luftuan me armë në dorë dhe sakrifikuan edhe jetën e tyre për lirinë e vendit. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. Ata ngritën lart dinjitetin e një kombi të tërë në luftë kundër okupatorëve duke shkruar një ndër faqet më të ndritura të historisë së popullit tonë dhe duke e vendosur Shqipërinë në anën e frontit të madh të lirisë si aleate e koalicionit antifashist. Ata dhanë jetën për këtë vend, për një Shqipëri më të mirë, dhe mënyra më e denjë për të respektuar sakrificën e tyre sublime është të punojmë fort për ta bërë realitet Shqipërinë që ata ëndërruan dhe aspiratën e të gjithë shqiptarëve për një Shqipëri evropiane.” – deklaroi ndër të tjera kryebashkiakja Sako. Pikërisht në Durrës filloi historia e luftës nacionalçlirimtare pasi në 7 prill 1939 u dëgjuan krismat e para antifashiste në Evropë. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Pikërisht në 7 prill në Durrës ranë dëshmorët e parë siç ishte heroi i popullit Mujo Ulqinaku dhe bashkëluftëtarë të tij të flijuar në mbrojtje të trojeve tona. Fryma e kohës i kishte ndërgjegjësuar banorët durrsakë dhe shumë të rinj ishin hedhur në çetat partizane. Të tjerë demonstruan kundër pushtimit fashist ku ranë dëshmorë të rinjtë Sotir Noka, Dalip Tabaku, Aleksandër Goga etj. Në këtë atmosferë e gjeti Durrësin pushtimi nazist në shtator 1943. Komanda gjermane e konsideroi qytetin tonë qytet të lëvizjes dhe ishte kjo pasiguri që e detyroi komandën gjermane të ndërmarrë operacionin e koduar shëtitje në port. Banorët u detyruan me forcë ta braktisnin qytetin ndërsa të rinjtë u internuan në kampet e përqendrimit, qyteti dhe vija bregdetare u minua, rast unikal ky në historinë e luftës së dytë botërore. Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit.
November 29, 2023