Kryebashkiakja Emiriana Sako i dhuroi familjes së aktorit të paharruar Xhevdet Feri, titullin “Qytetar Nderi i Durrësit” (pas vdekjes), akorduar nga këshilli bashkiak, këtij korifeu të artit shqiptar.

Në një aktivitet të veçantë përkujtuam me emocione të shumta mjeshtrin e filmit dhe teatrit, artistin e madh që ka frymëzuar breza, profesorin dhe qytetarin fisnik, Xhevdet Feri.

Ky titull ju dha artistit të mirënjohur me motivacionin: “Personalitet i lartë dhe i shquar në fushën e artit, kulturës, edukimit, politikave kulturore, qytetar model, artist i madh i skenës dhe ekranit, deputet që përfaqësoi me nder dhe dinjitet qytetin e Durrësit”.

Dorëzimi i këtij titulli është në shenjë respekti e vlerësimi të lartë që të gjithë qytetarët e Durrësit ashtu si të gjithë shqiptarët ushqejnë për këtë njeri të madh dhe personalitet të shquar të artit tonë.