Në vazhdimësi të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të përgatitjes dhe hartimit të programit buxhetor afat mesëm 2025-2027, zhvilluam Dëgjesën Publike në Njësinë Administrative Rrashbull, për tre programet më kryesore të buxhetit të Bashkisë Durrës.
- Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimet Publike për PBA 2025-2027
- Programi i Arsimit Parashkollor dhe Parauniversitar
- Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
Në këtë takim kishte një pjesmarrje të gjerë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të komunitetit të Njësisë Administrative Rashbull, përfaqësues të grupeve të interesit, përfaqësues të Këshillit Bashkiak, Institucioneve Arsimore, OSHE, Emergjenca Civile, Ujësjellës-Kanalizime, OJF që operojne në këtë njësi.
Takimin e hapi Nënkryetari i Bashkisë, Elio Jani i cili bëri një panoramë të përgjithshme të investimeve të kryera në këtë njësi si dhe projektet e reja që do të zbatohen përgjatë harkut kohor 2025-2027. Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimin e tre programeve buxhetore për PBA 2025-2027, të cilët u prezantuan nga Drejtorët e Drejtorive përkatëse të Bashkisë Durrës.
U prezantuan objektivat për investimet në infrastrukturë rrugore në Projekt Buxhetin e vitit 2025-2027, ndërtimin e 13 rrugëve në Njësinë Administrative Rrashbull me gjatësi 3’975m, ndërsa projektet në infrastrukturën publike për vitin 2025-2027 përfshijnë rikonstruksionin dhe ndërtimin e qendrave shëndetësore, rikonstruksion dhe ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve, krijimin e hapësirave publike si dhe kënde lojërash për fëmijë, ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore përgjatë rrugës së Ndroqit, ndërtimin e terreneve sportive si dhe pastrimin dhe rehabilitimin e sistemit të kullimit dhe vaditjes të cilat do të jenë prioritet për vitet e ardhshme.
Pas prezantimit të këtyre programeve, fjalën e morën banorët dhe të pranishmit në sallë, të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.
October 10, 2024