Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, Drejtoresha e World Vision Albania, Eljona Boçe Elmazi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Geron Ibrahimi dhe të rinj të qytetit përuruan Qendrën Rinore Multifunksionale në Durrës. Kjo Qendër ka si qëllim përmirësimin e infrastrukturës rinore nëpërmjet shtimit të ambienteve për lexim (bibliotekë) dhe për zhvillimin e aktiviteve rinore me karakter edukativ, kulturor apo social të komunitetit rinor të Bashkisë Durrës, duke nxitur njëkohësisht edhe ndjenjën e vullnetarizmit tek të rinjtë. Kjo Qendër do të jetë një mënyrë e mirë për zhvillimin e aftësive komunikuese, planifikuese, bashkëpunuese, kërkimore dhe analitike, gjithashtu si një hapësirë e dedikuar për programe dhe aktivitete ku të rinjtë janë përfitues direkt, një hapësirë miqësore informimi dhe nxitëse për të qenë aktivë në proçese vendimmarrëse.

Hapja e kësaj qendre ka si qëllim gjithshtu përmirësimin e infrastrukturës rinore nëpërmjet shtimit të ambjenteve për lexim dhe ndërveprim, përmirësimin e shërbimeve rinore nëpërmjet ofrimit të ambjenteve me logjistikën e përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve me natyrë edukative, sociale dhe kulturore, orientimin e të rinjve drejt përdorimit të teknologjisë si alternativa më e mirë dhe më inovatore për informim, komunikim, bashkëpunim, kërkim dhe ndërveprim në tregun e punës, shtimin e hapësirave rekreative për bashkëveprim ndërmjet komunitetit rinor, rritjen e shkallës së angazhimit të të rinjve në aktivitetet me karakter rinor në nivel vendor, rritjen e shkallës së socializimit ndërmjet të rinjve si dhe rritjen e përfshirjes sociale nëpërmjet ofrimit të shërbimeve për persona me aftësi të kufizuara.