Është përkujtuar në Durrës 87 vjetori i rezistencës ndaj pushtimit fashist. Në ceremoninë e zhvilluar merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Adrian Gurra, veteranë, përfaqësues të institucioneve qëndrore e vendore, përfaqesues të komuniteteve fetare dhe qytetarë durrsakë të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur kurora me lule në nderim të heronjve dhe dëshmorëve të kësaj rezistence. Më 7 prill 1939, atdhetarët shqiptarë Mujo Ulqinaku, së bashku me ushtarakë dhe vullnetarë nga Durrësi dhe mbarë vendi, ndërmorën aktin e parë të rezistencës, duke i treguar botës vendosmërinë e popullit shqiptar. Sipas kryebashkiakes Sako, kjo datë shënon edhe aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij e bija që, duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri edhe jetën e tyre për lirinë e vendit.