Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako kryen homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve në ditën e nderimit për të rënët për lirinë e Atdheut

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, zhvilloi homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve në kuadër të 5 Majit, ditës së përkujtimit të heronjve dhe dëshmorëve të rënë për lirinë e Atdheut. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë prefekti Adrian Gurra, veteranë, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, përfaqësues të komuniteteve fetare, pasardhës të veteranëve të luftës antifashiste si edhe qytetarë të Durrësit. Të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit duke kryer homazhe dhe vendosur kurora me lule në nderim të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit. Kryebashkiakja Sako theksoi rëndësinë e kujtimit dhe vlerësimit të sakrificës së atyre që dhanë jetën për vendin. Ajo shprehu mirënjohje të thellë për dëshmorët dhe familjet e tyre, si dhe për familjet e ushtarakëve dhe punonjësve të policisë që kanë rënë në krye të detyrës ndër vite, duke nënvizuar se kujtimi i tyre do të mbetet i përjetshëm.