Programi i Zonave Funksionale është një iniciativë e Programit për Zhvillim Lokal dhe Decentralizimin (dldp) mbështetur nga qeveria e Zvicrës, e cila synon të eksplorojë potencialin e njësisë së re vendore në fusha të tilla si ekonomia, shërbimet vendore dhe qeverisja dhe ta bëjë atë funksional. Programi i Zonave Funksionale shërben si një hap paraprak i Planeve të Zhvillimit Strategjik, por në ndryshim nga ai, është më pak i ngarkuar dhe synon të japë disa zgjidhje të menjëhershme për problematikat e identifikuara si më të ndjeshme në territorin e ri të Bashkive. Dldp ka zhvilluar Programet e Zonave Funksionale në 8 Zona Funksionale (ose Bashki të reja), në 5 Qarqet në veri të Shqipërisë, përfshi edhe Qarkun e Durrësit, me dy Zona Funksionale: Durrës dhe Shijak.
Organizata që ka zbatuar programin në Durrës është Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI). Programi përfshin një analizë ekonomike të territorit, një analizë të shërbimeve si dhe një analizë të strukturave administrative. Mbi bazën e analizave janë zhvilluar një numër rekomandimesh, si dhe janë identifikuar disa projekte që kanë karakteristika të zhvillimit ekonomik, përmirësimit të shërbimeve dhe organizimit administrativ. Projektet janë diskutuar në forume të zhvilluara nga organizata zbatuese me grupe të ndryshme interesi.
Grupe të interesit, qytetarët, komuniteti i biznesit dhe këshilltarë të njësive egzistuese vendore janë të ftuar të shprehin mendimin e tyre mbi projektet e identifikuara në territorin e Bashkisë së Ardhshme Durrës.
Dldp dhe Bashkia Durrës fton qytetarët në ekspozitën publike të organizuar për këtë qëllim me ditën e enjte, datë 16 Prill 2015 ne hapësirën e Galesirsë pranë Bashkisë, duke filluar nga ora 10.00.
April 14, 2015