KËRKO

Bashkia e Durrësit prezanton në një dëgjesë publike fazën e dytë të planit të përgjithshëm vendor: Strategjia Territoriale dhe Plani i Veprimeve Strategjike

Përfaqësues të studiove projektuese kanë prezantuar në një panel të zgjeruar planin e  përgjithshëm vendor për rajonin Durrës-Shijak-Vorë. Piervitorio Aureli, përfaqësues i firmave Dogma, Latitude platform, Milan Ingegneria dhe Studio B&L ka prezantuar duke e ndarë në sektorë dhe kapituj zhvillimin e pritshëm të rajonit që përbëhet nga tre bashkitë e reja sipas ndarjes administrativo territoriale. Ky takim është konsultimi i tretë publik në lidhje me këtë plan. Në këtë takim merrnin pjesë zyrtarë të lartë të administratës vendore e qëndrore, të gjithë projektuesit, studentët, firmat e ndërtimit, shoqatat, institucionet, O.J.F., grupet e interesit që operojnë në territorin e Bashkisë Durrës si dhe qytetarët që ishin të interesuar në mundësitë e zhvillimit të qytetit në vitet e ardhshme.  Në këtë dëgjesë publike është prezantuar faza e dytë e këtij plani që është:Strategjia Territoriale dhe Plani i Veprimeve Strategjike/Prioritare, Investimet Kapitale dhe Projektet Pilot të Zhvillimit për Bashkinë Durrës. Arkitekti italian Piervitorio Aureli është shprehur se rajoni në fjalë ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, sepse është porta hyrëse e  Shqipërisë, por nga ana tjetër zhvillimi industrial dëmton mjedisin e zonës. Për zhvillimin e këtij trekëndëshi arkitektët e studiove që po punojnë së bashku propozonë ndërthurjen e elemntëve të peisazheve mjaft të bukura kodrinore, ruajtjen e bregdetit, sidomos në pjesën veriore, si dhe rikthimin e një bujqësie të zhvilluar në zonat fushore. Në lidhje me sektorin e bujqësisë, raportohet se ajo ka pësuar rënie të prodhimit me 70 % në 20 vitet e fundit dhe potencialet për zhvillimin e saj janë shumë të mëdha. Ndërtimet e pakontrolluara nuk duhet të vazhdojnë më, por propozohet konsolidimi i zonës historike të qytetit të Durrësit në zonën e amfiteatrit dhe murit të kalasë. Po kështu nuk sugjerohet shtrirja e mëtejshme e qytetit, por gjetja e zonave dhe rregullimi i dendësisë aty ku ka mundësi. Arkitektët propozojnë ruajtjen e peisazhit kodrinor dhe zhvillimin e një turizmi të butë. Të pranishmit kanë bërë pyetje që lidhen me këtë plan i cili po kalon në shumë faza konsultimi publik ku më parë ai është konsultuar me banorët e çdo rajoni të Durrësit e më pas janë zhvilluar edhe tre dëgjesa publike me grupet e interesit dhe banorët e qytetit. Bashkia Durrës i është bashkuar nismës së hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor për gjithë-përfshirjen e territorit në administrim të saj. Në dëgjesën e parë publike është bërë prezantimi publik për fazën e  analizës së territorit, të bërë nga studiot. Në dëgjesën e dytë është bërë konsultimi publik për fazën e strategjisë territoriale, me pjesmarrjen e grupeve të interesit dhe aktorëve të tjerë institucionalë të qytetit. Ndërsa në këtë dëgjesë të tretë studio e projektimit të Planit të ri të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Durrës, bëri prezantimin e fazës së 2-të:‘’Strategjia Territoriale dhe Plani i Veprimeve Strategjike/Prioritare, Investimet Kapitale dhe Projektet Pilot të Zhvillimit për Bashkinë Durrës’’.