Në ditën ndërkombëtare të mjekëve kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako dhe mjekja e deputetja e Durrësit Klodiana Spahiu kanë vizituar Spitalin Rajonal të Durrësit ku kanë falenderuar mjekët për punën e tyre heroike për menaxhimin e situatës së pandemisë. Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e këtij spitali përveç mjekëve dhe infermierëve të vijës së parë të luftës ndaj pandemisë kanë marrë pjesë edhe drejtoresha e spitalit Nadire Jani si dhe drejtoresha e njësisë vendore të kujdesit shëndetësor Aurora Hyka. Ceremonia ka filluar me një minutë heshtje për të gjitha jetët e humbura gjatë kësaj pandemie por edhe në mënyrë të veçantë për humbjen e mjekut Fatos Zaçe i cili ka dhënë një kontribut të shquar në spitalin e Durrësit. Në fjalën e saj kryebashkiakja Sako deklaroi se sot heronjtë e vërtetë janë mjekët, infermierët e sanitarët, bluzat e bardha që kanë punuar pa pushim, me pasion, humanizëm e përkushtim por dhe me shumë sakrifica. Kryebashkiakja Sako ka falenderuar bluzat e bardha për punën e tyre dhe u ka shpërndarë mjekëve dhe infermierëve që janë përballur me pandeminë çertifikatën “MIrënjohje e Qytetit e Durrësit”.Mjekja dhe deputetja e Durrësit Klodiana Spahiu në fjalën e saj deklaroi se bluat e bardha pavarësisht se me mundim e sakrifica ja kanë dalë mbanë për të suportuar një ngarkesë të jashtëzakonshme dhe shërbimi ndaj qytetarëve ka qenë shumë cilësor. Ndërsa drejtoresha e Spitalit Rajonal të Durrësit Nadire Jani ka falenderuar të gjithë mjekët, infermierët dhe sanitarët për punën e tyre dhe për përkushtimin me të cilin ju janë përgjigjur të gjithë pacientëve të qytetit të Durrësit por edhe nga rrethet e tjera që janë shtruar në këtë spital. Vlerësimi “MIrënjohja e Qytetit” u është dhënë mjekëve dhe infermierëve që kanë përballuar në vijën e parë pandeminë në Durrës me motivacionin: “Për kontributin e madh dhe punën e jashtëzakonshme në menaxhimin e situatës së emergjencës së krijuar nga pandemia Covid 19”.
March 30, 2021