KËRKO

Bashkia e Durrësit zhvillon dëgjesën publike për rindërtimin e 4 objekteve arsimore, kryebashkiakja Sako: Ringritja e shkollave pas tërmetit modeli i ringritjes së Durrësit

Bashkia e Durrësit në vijim të proçesit të rindërtimit, ka zhvilluar në ambientet e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” dëgjesën publike për objektet arsimore që do të rindërtohen: shkolla 9 vjeçare “Eftali Koçi”, shkolla e mesme sportive e konvikti “Benardina Qerraxhia”, shkolla e mesme “Olsi Lasko” dhe çerdhja nr.3, pjesë e programit EU4Schools zbatuar nga UNDP, financim i Bashkimit Evropian. Në këtë dëgjesë merrnin pjesë kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, përfaqësues të UNDP projekti EU4Schools, arkitektë, mësues, nxënës dhe qytetarë të Durrësit. Në fjalën e saj kryebashkiakja Sako deklaroi se në Durrës 14 objekte arsimore kanë përfunduar tashmë duke i ofruar nxënësve, fëmijëve dhe stafit pedagogjik kushte dhe ambiente bashkëkohore ndërkohë që procesi vijon me godinat e tjera:

“Ringritja e shkollave pas tërmetit është një model i papërsëritshëm dhe mishërim i besimit në ringritjen e Durrësit. Qëllimi i ndërhyrjes së menjëhershme të qeverisë shqiptare por edhe BE nëpërmjet EU4Schools ishte rivendosja e menjëhershme e shërbimeve dhe infrastrukturës mësimore në komunitetet e zonave në mënyrë që të kishte humbje sa më minimale të procesit mësimor si dhe më tej në normalizimin gradual të jetës dhe rikthimin në normalitet. Ndërhyrjet në shkollat e Durrësit janë kryer në bazë të strategjive afatgjata sipas qasjes “build back better” e cila ofron mundësinë për të rindërtuar infrastrukturë dhe sisteme më të forta, më të sigurta, me standarte më të larta dhe më rezistente ndaj fatkeqësive. Këto objekte të reja arsimore jo vetëm që janë më të sigurta dhe komode për nxënësit por i japin mundësi edhe stafit pedagogjik të kenë kushte optimale mësimdhënie.

Në një kohë rekord nga 4 deri në 8 muaj kemi arritur të ndërtojmë 12 objekte të reja arsimore dhe 2 janë rikonstruktuar tërësisht, ndërsa në proces janë edhe 16 godina të tjera. Të gjitha godinat arsimore ndërtohen me eurocod 8 duke i siguruar nxënësve dhe fëmijëve ambiente me standarte të larta. Në të gjitha godinat e reja arsimore janë në total 6610 nxënës dhe 651 fëmijë kopshti ndërsa nga objektet e tjera që do të rindërtohen do të përfitojnë 5200 nxënës dhe 600 fëmijë kopshti. Sot jemi bashkë me arkitektët për tu njohur me projektet e 4 godinave arsimore:shkolla 9 vjeçare “Eftali Koçi”, shkolla e mesme sportive dhe konvikti “Benardina Qerraxhia”, shkolla e mesme “Olsi Lasko” dhe çerdhja nr.3,  për të cilat kemi bërë edhe dëgjesat përkatëse në komunitet dhe sot po e finalizojmë me këtë dëgjesë për publikun e interesuar. Në këto katër objekte arsimore në total janë 1890 nxënës, 35 fëmijë kopshti dhe 125 fëmijë në çerdhe.”

Gjatë dëgjesës janë paraqitur projektet përfundimtare të zgjedhura nga dëgjesat publike të zhvilluara komunitetet e zonave në objektet arsimore përkatëse. Po kështu arkitektët i janë përgjigjur edhe pyetjeve të publikut të interesuar në lidhje me këto objekte arsimore.