KËRKO

Bashkia e Durrësit zhvillon dëgjesën publike për rindërtimin e 3 shkollave të mesme dhe 1 kopshti, kryebashkiakja Sako: Shkollat e reja me standarte të larta dhe kushte optimale mësimdhënie

Bashkia e Durrësit në vijim të proçesit të rindërtimit, ka zhvilluar në ambientet e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” dëgjesën publike për 4 objekte arsimore që do të rindërtohen: shkollat e mesme “Naim Frashëri” e “Gjergj Kastrioti” në Durrës,  shkolla e mesme “Dhosi Liperi” në Sukth si dhe kopshti në Bizë njesia administrative Ishëm, pjesë e programit EU4Schools, zbatuar nga UNDP, financim i Bashkimit Evropian. Në këtë dëgjesë merrnin pjesë kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, përfaqësues të UNDP projekti EU4Schools, arkitektë, mësues, nxënës dhe qytetarë të Durrësit. Në fjalën e saj kryebashkiakja Sako deklaroi se në Durrës 14 objekte arsimore kanë përfunduar tashmë duke i ofruar nxënësve, fëmijëve dhe stafit pedagogjik kushte dhe ambiente bashkëkohore ndërkohë që procesi vijon me godinat e tjera:

“Ringritja e shkollave pas tërmetit është një model i papërsëritshëm. Qëllimi i ndërhyrjes së menjëhershme të qeverisë shqiptare por edhe BE nëpërmjet EU4Schools ishte rivendosja e menjëhershme e shërbimeve dhe infrastrukturës mësimore në komunitetet e zonave në mënyrë që të kishte humbje sa më minimale të procesit mësimor si dhe më tej në normalizimin gradual të jetës dhe rikthimin në normalitet. Këto objekte të reja arsimore jo vetëm që janë më të sigurta dhe komode për nxënësit por i japin mundësi edhe stafit pedagogjik të kenë kushte optimale mësimdhënie.

Në një kohë rekord kemi arritur të ndërtojmë 12 objekte të reja arsimore dhe 2 janë rikonstruktuar tërësisht, ndërsa në proces janë edhe 16 godina të tjera. Të gjitha godinat arsimore ndërtohen me eurocod 8 duke i siguruar nxënësve dhe fëmijëve ambiente me standarte të larta. Në të gjitha godinat e reja arsimore janë në total 6610 nxënës dhe 651 fëmijë kopshti ndërsa nga objektet e tjera që do të rindërtohen do të përfitojnë 5200 nxënës dhe 600 fëmijë kopshti. Sot jemi bashkë me arkitektët për tu njohur me projektet e 4 godinave arsimore: shkollat e mesme “Naim Frashëri” e “Gjergj Kastrioti” në Durrës,  shkolla e mesme “Dhosi Liperi” në Sukth si dhe kopshti në Bizë njësia administrative Ishëm,  për të cilat kemi bërë edhe dëgjesat përkatëse në komunitet dhe sot po e finalizojmë me këtë dëgjesë për publikun e interesuar. Në këto katër objekte arsimore në total janë 1835 nxënës dhe 25 fëmijë kopshti.”

Gjatë dëgjesës janë paraqitur projektet përfundimtare të zgjedhura nga dëgjesat publike të zhvilluara komunitetet e zonave në objektet arsimore përkatëse. Po kështu arkitektët i janë përgjigjur edhe pyetjeve të publikut të interesuar në lidhje me këto objekte arsimore.