Në kuadër të përgatitjes dhe hartimit të Buxhetit Afatmesëm 2022-2024, si dhe në kuadër të transparencës publike lidhur me të gjitha projektet, shërbimet dhe investimet e realizuara përgjatë vitit 2021, si dhe rëndësisë që kanë Dëgjesat Publike për informimin, edukimin, thithjen e informacionit dhe angazhimit të publikut për cështje të ndryshme, sot, me datë 08.11.2021 u bë hapja e Dëgjesave Publike për programet kryesore të zhvillimit të Bashkisë, bazuar në Ligjin Nr 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”.
Në bazë të Kalendarit të Dëgjesave Publike të hartuar për këtë qëllim, në Njësinë Administrative Manëz, u organizuan katër Dëgjesat e para Publike me komunitetin dhe grupet e interesit të Njesive Administrative: Manëz, Sukth dhe Ishëm.
Në këto 4 Seanca Dëgjimore u prezantuan dhe u diskutuan për programet:
-Programi i Paketës Fiskale,
-Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Transportit Publik
-Programi i Arsimit parashkollor dhe parauniversitar
-Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
Hapjen e Dëgjesave Publike për PBA 2022-2024 e përshëndeti edhe Kryetarja e Bashkisë Durrës, znj.Emiriana Sako.
Gjatë fjalës së saj, ajo prezantoi investimet e bëra gjatë vitit 2021, përfshirë këtu dhe investimet e kryera në kuadër të procesit të rindërtimit në Nj/ Administrative Manëz, Ishëm dhe Sukth. Znj. Sako theksoi se një nga prioritetet do të jete forcimi i shërbimit të pastrimit, bazuar në legjislacionin në fuqi duke filluar proceset e standartizimit të mbetjeve për të mos patur më vatra mbetjesh në këto Njësi Administrative. Gjithashtu, një aspekt tjetër ku ajo u ndal, ishte dhe pastrami i kanaleve kulluese në bashkëpunim me Bordin e Kullimit.
Seanca e parë dëgjimore u hap me Dëgjesen Publike për Paketën Fiskale që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2022-2024. Prezantimin mbi Paketën Fiskale e bëri Drejtori i Tatim Taksave në Bashkinë Durrës, z. Luan Dajko. Ai foli mbi strukturën e Paketës Fiskale për periudhën 2022 – 2024 dhe rëndësinë e pagesës së taksave dhe tarifave vendore në funksion të ofrimit të shërbimeve më të mira në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës, ecurinë e të ardhurave në vite të Bashkisë nga taksat e tarifat si dhe prezantoi problemet lidhur me menaxhimin e taksave tarifave nga administrata e Bashkisë, problemet që lidhen me sistemin e faturimit dhe mbledhjes së të ardhurave, problemet me pagesën e detyrimeve sidomos nga familjet,(taksat e popullatës, taksa e pasurisë), problemet me nivelin e informimit etj.
Ndërsa, dy Dëgjesat e tjera kishin si qëllim prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2022-2024 për Programin “Infrastruktura rrugore” dhe Programin “Investimet në Arsim për sistemin parashkollor, Arsimin 9-vjecar si dhe atë të Mesëm” dhe një Dëgjesë ishte për projektet dhe shërbimet Sociale që janë planifikuar të zbatohen për periudhën 2022-2024 për komunitetin e Njësive Administrative Manëz, Sukth dhe Ishëm .
Prezantimet për programin e Infrastrukturës rrugore e bëri Drejtori i Projekteve dhe Infrastrukturës Publike. z.Adnan Tocilja, i cili bëri një prezantim të të gjitha investimeve të kryera gjatë vitit 2021 në secilën nga këto tre Njësi/Administrative. Ai, u ndal dhe në investimet që parashikohen të bëhen për këto 3 Njësi Administrative gjatë periudhës 2022-2024, duke mirëpritur çdo propozim, sugjerim apo rekomandim nga ana e tyre.
Ndërsa, prezantimin e tretë për programin e Arsimit parashkollor dhe atij parauniversitar, e prezantoi znj. Nikoleta Petro, Pergjegjese e Sektorit të Arsimit në Bashkine Durres. Znj. Petro, referoi për të gjitha investimet e kryera në Institucionet Arsimore gjatë vitit 2021 duke u ndalur kryesisht për cdo investim të kryer në këto tre njesi administrative. Fokusi kryesor i investimeve në arsim, ishte ai i procesit të rindërtimit sidomos të zonës së Ishmit që ishte dhe zona më e prekur nga tërmeti. Më pas u ndal dhe në investimet që parashikohen të bëhen në institucionet arsimore gjatë viteve 2022-2024. Gjatë fjalës së saj, znj. Petro foli dhe për taksën e përkohëshme (për 3 vjet) që do ti ngarkohet biznesit të madh për sistemin e arsimit parashkollor me qëllim prmirësimin e shërbimeve në kopështet e fëmijëve.
Së fundmi, pjesmarrësit u njohën me projektet dhe shërbimet sociale që Bashkia e Durrësit ka realizuar gjate vitit 2021 si dhe ato që do të zbatojë në periudhën 2022-2024, të cilat u prezantuan nga Drejtorja e Drejtorisë së Sherbimit Social, znj. Meme Xhaferraj.
Pas cdo Seance Dëgjimore, pati diskutime, sugjerime dhe mendime te ndryshme per investimet dhe shërbimet, nga komuniteti dhe grupet e interesit të pranishëm në këto Dëgjesa.
Dëgjesat Publike u organizuan nga Sektori i Analizës së Statistikave dhe Planifikimit Afatmesëm në Drejtorinë e Politikave të Zhvillimit dhe Integrimit Europian, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve dhe Punëve Publike, Drejtorinë e Shërbimebve Sociale, Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore si dhe me Drejtorinë e Arsim-Kulturë, Rini, Sporte dhe Komunitete Fetare. Në këto takime kishte një pjesëmarrje të gjërë, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga komuniteti i Njësive Administrative Manëz, Sukth dhe Ishëm, përfaqësues të grupeve të interesit, Institucioneve Arsimore, OJF që operojnë në këto Njësi Administrative, grupet këshillimore dhe Komisionet e Këshillit Bashkiak si dhe përfaqësues të biznesit.
November 8, 2021