Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako mori pjesë në Samitin e Kryetarëve të Bashkive të rajonit të Ballkanit: B40 Balkan Cities Network, ku morën pjesë 24 kryebashkiakë nga 11 shtete të rajonit.
Ky Samit që u zhvillua në Stamboll të Turqisë kishte si qëllim krijimin e një rrjeti të përhershëm të qyteteve në rajonin e Ballkanit. Nëpërmjet krijimit të këtij rrjeti, qytetet mund të punojnë së bashku për të forcuar dialogun ndërmjet tyre, ngritjen dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, kulturës, inovacionit, për të zhvilluar fusha të reja për bashkëpunim, veçanërisht për të zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me mjedisin dhe ndryshimet klimatike, si edhe për të forcuar demokracinë lokale në rajonin tonë.
Gjithashtu, nëpërmjet ngritjes së këtij rrjeti rajonal, synohet të arrihet një bashkëpunim i ndërsjelltë i cili ka si qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së milionave njerëzve që jetojnë në qytetet e rajonit të Ballkanit.
Për këtë qëllim, në fjalën e mbajtur në këtë Samit, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, vuri theksin në rëndësinë strategjike të këtij Samiti si edhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet qyteteve të rrjetit në lidhje me fushat e interesit të përbashkët, nisur edhe nga potencialet e këtyre të fundit. Gjithashtu, kryebashkiakja Sako, në fjalimin e saj shprehu falenderimet për ndihmën e shtetit turk jo vetëm me skuadrat profesionale të shpëtimit mbas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë në muajin nëntor 2019, dhe vecanërisht qytetin e Durrësit, por edhe me asistencën konkrete financiare me ndërtimin e 524 shtëpivë në qytetin e Kurbinit, si shenjë e miqësisë midis dy popujve tanë. Po kështu kryebashkiakja Sako i ka njohur pjesëmarrësit me qytetin e Durrësit si dhe me resurset e rëndësishme që ofron ky qytet sidomos në fushën ekonomike dhe atë të turizmit.
Gjatë Samitit pjesëmarrësit kanë zhvilluar vizita në Inceneratorin e mbetjeve Istaç, ku kryebashkiakët dhe pjesëmarrësit e tjerë u njohën më nga afër me teknologjinë e fundit të transportit, përpunimit të mbetjeve deri në prodhimin e energjisë së pastër.
Ndërkohë, ditën e dytë të Samitit, kryebashkiakja Sako, pati mundësinë të zhvillojë disa takime me kryebashkiakët pjesëmarrës në këtë Samit, ku ndër të tjera u diskutua në lidhje me forcimin e bashkëpunimit në shkëmbime konkrete të mallrave, shërbimeve apo produkteve të interesit të përbashkët si: mjetet agregate, mjetet alternative të transportit publik, pjesëmarrjen në panaire rajonale etj.
Në fund të këtij Samiti, është nënshkruar Deklarata e Krijimit të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40, ndërmjet 24 kryebashkiakëve të rajonit, si një zotim për vazhdimësinë e Rrjetit në bashkëpunime konkrete.
December 1, 2021