Në vazhdimësi të zbatimit të Kalendarit të Dëgjesave Publike, në kuadër të Përgatitjes dhe hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2023-2025, bashkia e Durrësit zhvilloi Dëgjesën Publike në Njësinë Administrative Katund i Ri për katër programet më krysore të buxhetit të Bashkisë Durrës:
-Programi i Paketës Fiskale
-Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Investimet Publik
-Programi i Arsimit parashkollor dhe parauniversitar
-Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social
Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të Njësisë Administrative Katundit të Ri, përfaqësues të grupeve të interesit, institucioneve arsimore, OJF, grupet këshillimore si dhe komisione të Këshilit Bashkiak. Takimin e hapi Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako e cila pasi përshëndeti dhe falenderoi pjesmarrësit, tha se kemi nisur një fazë të rëndësishme të Dëgjesave Publike dhe takimeve me komunitetin, për planifikimin e buxhetit për tre vitet e ardhshme:
“Edhe në Katund të Ri janë bërë shumë investime në infrastrukturë dhe fusha të tjera. Prioritet në vitin e ardhshëm edhe në këtë njësi do të jetë sektori i bujqësisë. Po kështu do të vijojë puna dhe investimet në infrastrukturë me qëllim parandalimin e përmbytjeve. Investime të tjera të parashikuara për këtë njësi do të jenë ato për infrastrukturën rrugore, investime në arsim si dhe do të ndërtohen terrene të reja sportive.”
Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimin e katër programeve buxhetore për PBA 2023-2025, të cilat u prezantuan nga ana e Drejtorëve të Drejtorive përkatëse të Bashkisë Durrës. Pas prezantimit të këtyre programeve fjalën e morën banorët dhe të pranishmit në sallë të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet, si dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.
November 5, 2022