Gjatë vizitës së punës në SHBA kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako mori pjesë në sesionin e dytë të shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave të mira me homologët e Bashkisë së West Hartford, Connecticut. Në këtë sesion merrnin pjesë John Phillips, Drejtor i Punëve Publike së Bashkisë së West Hartford dhe Katherine Bruns, Koordinatore e Riciklimit. Diskutimet midis zyrtarëve amerikanë dhe delegacionit shqiptar kishin në fokus Shërbimin e Menaxhimit të Mbetjeve ku u trajtuan problematika si: Rritja e cilësisë dhe përmirësimi i shërbimeve publike të pushtetit vendor mbështetur në standartet ndërkombëtare dhe metoda inovative, nevojat për menaxhimin profesional, mirëmbajtje dhe monitorimin e sektorit, menaxhimi nga ndërmarrjet private apo publike si dhe përgjegjësia e përbashkët, zhvillimin e aktiviteteve lokale me në fokus ndërgjegjësimin për riciklimin nëpërmjet angazhimit të komuniteteve lokale. Në kuadër të reformës territoriale u shënua një hap i madh pozitiv drejt rritjes së efikasitetit të shërbimit të menaxhimit, grumbullimit dhe transportit të mbetjeve në nivel vendor. Ky aktivitet u organizua nga Shoqata për Autonomi Vendore në mbështetje të NJVQ-ve me qëllim zhvillimin e kapaciteteve për të rritur dhe përmirësuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve për komunitete lokale.