Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të Qendrës “Fuqizojmë Komunitetin” në Durrës. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Ndihmës Administratorja e USAID-it njëkohësisht Ambasadorja e SHBA-ve në detyrë, Erin Elizabeth McKee, Drejtoresha e USAID-it, Mischere Kawas dhe Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD Shqipëri, Monica Merino. Gjatë aktivitetit, së bashku me fëmijët dhe pjesëmarrësit e tjerë, kryebashkiakja Sako dhe të ftuarit e tjerë u njohën me programet e ndryshme që ofrohen në këtë qendër, si dhe shërbimet e mbështetjes psiko-sociale, terapia e të folurit dhe fizioterapia.
Kjo qendër ofron shërbime sociale thelbësore për komunitetet vulnerabël. Duke ofruar shërbime të specializuara në një mënyrë të plotë dhe të koordinuar, kjo qendër siguron që askush të mos lihet pas dhe të gjitha komunitetet të kenë qasje në kujdes social cilësor. Ajo nuk është vetëm një qendër, por një hapësirë komunitare që synon të ndërtojë rezilencë, të favorizojë përfshirjen dhe të promovojë barazinë.
Qendra e Reziliencës “Fuqizojmë Komunitetin” në Durrës paraqet një model të qëndrueshëm të shërbimeve, për komunitetet më vulnerabël përmes një pakete të kujdesit social të integruar, programeve arsimore, zhvillimit të aftësive të jetës përfshirëse, shërbimeve mobile dhe të ndërlidhjes, në përputhje me standardet dhe protokollet ekzistuese të shërbimeve të kujdesit social, përfshirë gratë dhe vajzat shqiptare, personat me aftësi të kufizuar, minoritetet fetare dhe etnike, të evakuuarit afganë, LGBTQIA+, gratë dhe burrat e prekur nga tërmeti.
Qendra ofron programe të specializuara për fuqizimin e grave dhe vajzave, ofron aktivitete që mbështesin diversitetin kulturor, fetar dhe të etnive të ndryshme, shërbime të specializuara për
migrantët, sigurohen masa të veçanta për viktimat e fatkeqësive natyrore si tërmetet, duke përfshirë asistencën e parë të menjëhershme, këshillimin për përballimin e traumave dhe ndihmën në rindërtimin e jetës. Qendra ka burime të dedikuara për të shërbyer komunitetit, duke ofruar një hapësirë të sigurt, këshillim dhe kujdes mjekësor të specializuar sipas nevojës.
November 16, 2023