Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, ka marrë pjesë në ceremoninë në nderim të njërit prej artistëve më të mëdhenj të kombit tonë, Mirush Kabashi. Në këtë ceremoni të zhvilluar në ditën e lindjes së aktorit të madh, ku merrnin pjesë personalitete të artit e kulturës, miq e kolegë të aktorit të madh, kryebashkiakja Sako i dorëzoi familjarëve të artistit të madh, titullin Qytetar Nderi i Durrësit” (pas vdekjes) me motivacionin: “Personalitet i lartë dhe i shquar në fushën e artit, kulturës, edukimit, politikave kulturore, qytetar model, artist i madh i kinematografisë, skenës dhe ekranit”. Në këtë event kryebashkiakja Sako deklaroi se e dorëzon këtë titull në shenjë respekti e vlerësimi të lartë që të gjithë qytetarët e Durrësit ashtu si të gjithë shqiptarët ushqejnë për këtë njeri të madh dhe personalitet të shquar të artit tonë:
“Ndihem e privilegjuar, që të shpall para jush vendimin e këshillit bashkiak për dhënien e titullit “Qytetar nderi” të Durrësit një figure kryesore të artit shqiptar. Mbi një gjysmë shekulli në skenë, “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtri i Madh i Punës” Mirush Kabashi rrëmbeu zemrat e publikut brenda e jashtë kufijve duke marrë përveç çmimeve kombëtare edhe shumë çmime ndërkombëtare sidomos me kalin e tij të betejës “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. Ai ka dhënë një kontribut të madh si një nga artistët më të shquar dhe të talentuar të skenës dhe ekranit me interpretime të roleve të shumta duke u berë një nga artistët më në zë dhe shumë i dashur për spektatorët dhe artëdashësit.
Ai mbetet një personalitet i shquar duke u rradhitur në plejadën e artistëve më të mëdhenj kombëtarë. Emri i tij do të mbetet një shembull i artistit dhe intelektualit me një bagazh të pasur kulturor. Po kështu ai ishte një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri si dhe aktivist i shumë kauzave sociale, zë i fortë i çështjes kombëtare. Por përveçse një artist shumë i dashur për të gjithë, ai ishte edhe një qytetar i nderuar me vlera të mëdha njerëzore, personalitet i shquar i Durrësit dhe i gjithë vendit. Figura të tilla i japin vlerë të madhe qytetit tonë dhe të gjithë kombit shqiptar dhe ata do të nderohen dhe respektohen maksimalisht pasi kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm.
April 17, 2024