Bashkia e Durrësit ka zhvilluar një ceremoni me rastin e 80 vjetorit të çlirimit të vendit. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Emiljan Jani, deputetë, përfaqësues të organizatës së veteranëve, drejtues të tjerë të pushtetit vendor, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe qytetarë durrsakë kanë bërë homazhe për të rënët dhe kanë vendosur kurora me lule në Mauzoleumin e Dëshmorëve. Të gjithë të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit. Kryebashkiakja Sako u shpreh se në 29 nëntor gjithë Durrësi dhe vendi ynë kujton dhe nderon ata vajza e djem të këtij populli që kryen sakrificën sublime duke vënë idealin e lirisë së atdheut përpara jetës së tyre: “Mirënjohje dhe respekt për ata vajza e djem të këtij populli që kryen sakrificën sublime duke vënë idealin e lirisë së atdheut përpara jetës së tyre. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. Të gjithë ata shqiptarë patriotë të cilët luftuan me armë në dorë për çlirim e vendosën Shqipërinë në krahun e duhur të historisë, mes vendeve fituese të kualicionit botëror antifashist. Kjo ditë, na obligon t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore, historike të asaj epoke të lavdishme dhe njëkohësisht na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesorja, ajo që ka të bëjë me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; një Shqipëri evropiane.” Pikërisht në Durrës filloi historia e luftës nacionalçlirimtare pasi në 7 prill 1939 u dëgjuan krismat e para antifashiste në Evropë. Në çlirimin e vendit, Durrësi dhe banorët e tij kanë dhënë një kontribut të ndritur dhe e kanë shkruar me gjak e sakrifica këtë kapitull të historisë së qytetit.
November 29, 2024