Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka marrë pjesë në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e bashkisë së Durrësit, në nderim të kontributit që Guardia di Finanza ka dhënë për sigurinë publike në Durrës dhe në të gjithë vendin tonë. Në këtë ceremoni merrnin pjesë komandanti i përgjithshëm i Guardia di Finanza, gjeneral Andrea De Gennaro, komandanti i njësisë së kufirit detar, major Francesco Della Corte, prefekti Emiljan Jani, oficerë e efektivë të kësaj trupe. Në emër të qytetarëve të Durrësit, kryebashkiakja Sako i dorëzoi Nucleo di Frontiera Marittima dhe Guardia di Finanza çertifikatë mirënjohjeje “Dëshmi e Meritës Publike dhe Qytetarisë Aktive” në shenjë respekti të thellë dhe mirënjohjeje për angazhimin e palodhur, ekselencën profesionale dhe kontributin thelbësor në sigurinë dhe mirëqënien e komunitetit. Nga ana e tij gjenerali De Gennaro theksoi se disponueshmëria që Durrësi dhe populli shqiptar ka siguruar gjithmonë, mikpritja, dashuria dhe mbështetja kanë qenë një shtysë themelore për punën e ushtarëve italianë dhe kanë kontribuar në mënyrë vendimtare në arritjen e rezultateve të shkëlqyera të arritura së bashku. Gjenerali De Gennaro shtoi se dhënia e kësaj mirënjohjeje prestigjioze përfaqëson një dëshmi konkrete të përkushtimit të Guardia di Finanza si dhe një demonstrim të respektit dhe dashurisë reciproke, duke vulosur lidhjet e miqësisë dhe afërsisë midis kësaj force dhe popullsisë së Durrësit. Në fjalën e rastit kryebashkiakja Sako shprehu falenderimin për drejtuesit dhe të gjithë efektivët e Guardia di Finanza, për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të forcave tona të Policisë dhe në favor të qytetarëve të Durrësit dhe të gjithë vendit tonë për 28 vite duke shërbyer me përkushtim e profesionalizëm dhe duke na ndihmuar në mënyrë të paçmueshme. Kryebashkiakja Sako theksoi se përveç luftës ndaj aktivitetit kriminal kjo trupë ka dhënë një mbështetje të madhe në shumë projekte arsimore e sociale por edhe në situatat e emergjencave dhe fatkeqësive natyrore që kanë goditur vendin tonë e sidomos Durrësin, ku ata, ashtu si të gjitha institucionet dhe populli italian, na u gjendën pranë në ditë të vështira. Popujt tanë – u shpreh Sako – e kanë dëshmuar ndër vite miqësinë, mbështetjen, solidaritetin, humanizmin dhe mirënjohjen ndaj njëri tjetrit.