Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako priti në një takim nëntë rektorë të Aleancës Universitare Evropiane STARS EU, në të cilën bën pjesë Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, universiteti ynë që na krenon duke qenë i pari universitet në Shqipëri që u bë pjesë e një aleance evropiane. Në bisedën që kryebashkiakja Sako zhvilloi me Presidentin e Komisionit të Aleancës STARS EU, Dick Pouwels, nga Universiteti Hanze, Holandë, me Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzin, Rektor i UAMD, si edhe me rektorët e tjerë të universiteteve nga vendet e BE u theksua rëndësia e evropianizimit të arsimit të lartë dhe ndikimin që ka ndërkombëtarizimi në zhvillimin vendor, rajonal dhe më gjerë, si edhe në përgatitjen e një brezi të ri profesionistësh.
Në këtë përfaqësi tejet të rëndësishme bënin pjesë edhe Han Polman, Këshilltar Shtetëror i Holandës, Anila Troshani, kreu i EACEA, në Komisionin Evropian, si edhe përfaqësues të lartë të bashkive dhe ministrive të vendeve evropiane, aleate të UAMD-së në këtë aleancë universitare. Aleanca STARS EU zhvilloi konferencën tre ditore në Durrës duke e shndërruar qytetin tonë në epiqendrën e jetës universitare evropiane. Bashkia e Durrësit do të vazhdojë ta thellojë bashkëpunimin me UAMD-në, për t’u njëhsuar gjithnjë e më shumë në qëllimin për ta zhvilluar qytetin tonë, për të shërbyer si një vatër risie e ideve të reja dhe nismave novative dhe për të përgatitur një brez të ri e të aftë për të përballuar sfidat dhe dinamikat e kohës.