Bashkia e Durrësit zhvillon ceremoninë në përkujtim të të rinjve patriotë durrsakë internuar në kampet naziste të përqëndrimit

Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni në përkujtim të gjithë atyre të rinjve luftëtarë e patriotë që u internuan në kampet e përqëndrimit nga nazistët gjatë luftës së dytë botërore. Në këtë ceremoni merrnin pjesë nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Elio Jani, kryetari i Qarkut, Alfred Mullaraj, prefekti Emiljan Jani, përfaqësues të organizatës së veteranëve të LANÇ, si dhe qytetarë të Durrësit. Pjesëmarrësit zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në nderim të sakrificave të gjithë atyre të rinjve që u persekutuan dhe u internuan në kampet e shfarosjes masive gjatë pushtimit nazist të vendit. Në mëngjesin e 20 nëntorit të vitit 1943 qytetarët durrsakë përjetuan një ngjarje tronditëse, bastisjen e shtëpive nga nazistët dhe marrjen me forcë të bijve të tyre. Këta të rinj durrsakë u sollën me dhunë në fushën e Shkozetit, aty ku ndodhet sot një lapidar, e më pas i hipën nëpër kamionët e ushtrisë gjermane duke i dërguar fillimisht në burgun e Tiranës e po atë ditë në kampet e shfarosjes si në Prishtinë, Mat’hauzen, Dakau etj. Në emër të Bashkisë fjalën e rastit e mbajti drejtoresha e arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit, Migena Muhaj, e cila u shpreh se: “Në pllakat memorative në varrezat e dëshmorëve të qytetit janë shumë emra të rinjsh që u vranë në kampet e Dakau, Mat’hauzenit etj. Ata të rinj durrsakë me sakrificën e tyre dhanë një mesazh të rëndësishëm, atë të luftës për liri duke sakrifikuar edhe jetën pasi atdheu është më i shtrenjti. Sakrificat e këtyre të rinjve mbeten një mesazh i fuqishëm për të gjithë brezat që e duan Shqipërinë. Kjo është një ditë historike, një nga momentet kur secili prej nesh qytetarë, të rinj, të moshuar, të gjithë brezat reflektojnë mbi të shkuarën dhe të ardhmen mbi përpjekjet dhe sakrificat njerëzore deri në humbjen e jetës në emër të një kauze të madhe, në emër të lirisë së Atdheut. Mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata të rinj që bënë rezistencë antifashiste dhe vuajtën e humbën jetën në burgjet dhe kampet e përqëndrimit nazist. ” Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe përfaqësues të organizatës së veteranëve të LANÇ të cilën diskutuan për luftën antifashiste nacionalçlirimtare si dhe ngjarjet e asaj dite kur të rinjtë patriotë të Durrësit u internuan drejt kampeve të përqëndrimit.