Këshilli Bashkiak i Durrësit ka zhvilluar mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje, ku këshilltarët u njohën edhe me raportin për punën e këshillit të bashkisë për vitin 2025, u miratuan vendimet e rendit të ditës me përjashtim të dy pikave. Projektvendimi “Për miratimin e subvencionimit të qirasë për familjet përfituese, që preken nga zbatimi i projektit “restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID, me vendndodhje në parkun arkeologjik Durrës” u shty për diskutim në mbledhjen tjetër të këshillit bashkiak ndërsa zgjedhja e zëvendëskryetarit të këtij këshilli nuk u miratua. Këto janë vendimet e miratuara në këtë mbledhje:
Për miratimin e kritereve për familjet në nevojë, që do të trajtohen me ndihmë ekonomike deri në 6% të fondit të kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike si dhe për ato që do të trajtohen me fonde të buxhetit vendor.
Për miratimin e sistemit të pikëzimit për përzgjedhjen e familjeve, që kërkojnë të përfitojnë nga programet e strehimit social.
Për rialokimin e fondeve të përfituara nga fondi i rindërtimit i buxhetit të shtetit, të pashpërndara në vitin 2025, që do të trashëgohen në vitin 2026.
Për miratimin për disa ndryshime në vendimin e këshillit bashkiak nr. 50, datë 21.05.2024, “Për miratimin e kërkesës për transferimin në pronësi të bashkisë Durrës, për njësinë administrative Katundi i Ri, të pasurisë me nr.101/2, e llojit truall, me sipërfaqe 1664m2 , me vendodhje në zonën kadastrale 3541”.
Për miratimin në parim të vlerës financiare të shpronësimit prej 473320.05 (katërqind e shtatëdhjetë e tre mijë e treqind e njëzetë pikë zero pesë) lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga investimi publik me objekt: “rikonstruksion i rrugëve në qytet”, për rrugën “Çel Islami”.
Për miratimin në parim të vlerës financiare të shpronësimit prej 867,776,164.65 (tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milion e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër pikë gjashtëdhjetë e pesë) lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga investimi publik me objekt: “lidhja e Currilave me rrugën “A.Goga”.
Për miratimin e listës emërore të familjeve, që përmbushin kriteret ligjore për përfitimin e bonusit të strehimit që do të akordohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit në favor të bashkisë Durrës për subvencionimin e qirasë për vitin 2026.
Për miratimin e procedurës së përshpejtuar për trajtimin e grave/viktimave të dhunës në familje të pajisur me urdhër mbrojtje, me strehim të menjëhershëm.
Për miratimin e ndryshimit të VKB nr. 66, datë 11.11.2025 “për miratimin e udhëzuesit për mënyrën e aplikimit “për implementimin e skemës: grante për të rinjtë në mbështetje të zhvillimit të iniciativave ekonomike lokale”.
Për përdorimin e fondit të përfituar nga granti i bazuar në performancë për bashkitë për vitin 2025.
February 10, 2026


